Shkruan: Afrim Kasolli
Votimi nga pjesa më e madhe e Partisë Demokratike të Kosovës, për Dimal Bashën nga Lëvizja Vetëvendosje, si Kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka ngjallur një sensacion dhe reagim masiv publik.
Zyrtarët me të lartë të kësaj partie u arsyetuan se me këtë veprim mëtonin t’i arrinin dy objektiva themelore; e para të dëshmonin se janë parti që i mbajnë zotimet e tyre publike për ta votuar çdo kandidat të partisë fituese të zgjedhjeve që nuk ka pasur post ministror, dhe e dyta ta shfajësonin vetën se janë një subjekt që nuk po i kontribuojnë vazhdimit të moskonstitumit të Kuvendit të Kosovës. Ndonëse me mosvotimin e saj për njërin nga kandidatet e partive të komunitetet jo shumicë, së bashku edhe me subjektet tjera parlamentare, vetëm sa u pajtuan për ta vazhduar këtë bllokadë, madje tashmë në linja etnike, duke transmetuar mesazhin se edhe kjo parti i bashkohet klimës politike të mosdurimit të përfaqësimit të serbëve si në nivel komunal ashtu edhe në nivel qendror.
Mirëpo, përtej këtyre implikimeve juridike dhe procedurale, personalisht e kam “përkrahur” këtë qëndrim të një pjese të PDK-së për votuar Dimal Bashën. Sepse vetëm në këtë mënyrë tashmë ajo e ka pasur shansin ideal të dal hapur çfarë në të vërtetë është. Në politikë nuk ka rëndësi as retorika, arsyetimet dhe qëllimet fisnike të liderit. Por aksionet konkrete. Dhe këto nuk janë vetëm ragime aksidentale. Por shprehje tipike e një qëndrimi që kultivohet gradualisht. Të parat mund të jenë vetëm armë ideologjike për ta maskuar të dytën.
Në këtë kontekst, lehtësia e padurueshme e strukturës kryesore drejtuese të PDK-ës, për t’i dhënë mbështetje të pa rezervë një kandidati të Vetëvendosjes, si Dimal Basha, vetëm sa e legalizon edhe procesin e gjatë të tjetërsimit të atij subjekti politik dhe përshtatjen sipas standardeve të dimalzimit për përfaqësim politik. Pjesa më e madhe e kryesisë së kësaj partie thuajse nuk dallon nga ky model. Prandaj, edhe po të donte nuk mund të vepronte jashtë kësaj skeme.
Kështu, me nominimin e Dimalit nga Vetëvendosja dhe mbështetjen e pa rezervë nga pjesa më e madhe e PDK-së, ky subjekt vetëm sa e bëri të ditur aleancën e heshtur të këtyre formacioneve politike (nën pretendimin e zhbllokimit të Kuvendit) për ta shndërruar këtë fenomen edhe në frymë të përfaqësimit shtetëror e institucional, si dhe për ta pamundësuar që të dalë në dritën e diellit çdo standard që e tejkalon modelin politik të dimalizmit.
Kuptohet, tash i mbetet elektoratit të kësaj partie që të mos pajtohet me këtë shpërfytyrim të strukturave drejtuese të saj. Ta dëshmojë vetën se mbetet një bazë e rezistencës, e jo e pajtimit me çdo gjë që ua ofron në pjatë Albin Kurti. Sepse nëse e para mund të jetë edhe kushtëzuar të veprojë në këtë mënyrë për t’i mbrojtur interesat e saj private nën petkun e partisë, baza e ka shansin të veprojë nga vullneti i lirë politik.