Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Projektligjin për zyrtarët publikë për të cilin ka thënë se është rezultat i kërkesave të kohës. Ai ka thënë se është e domosdoshme që administrata publike të hapet për të rinjtë, profesionistët dhe diasporën dhe sipas tij ky projektligj e mundëson këtë përmes procedurave të rekrutimit.
Në seancën e Kuvendit ai ka thënë se i njëjti po bëhet për të adresuar nevojat e administratës dhe është kompletuar bashkë me të gjitha palët e interesit.
Sveçla: Projektligji për zyrtarët publikë është rezultat i kërkesave të kohës
“Ky projektligj është rezultat i kërkesave të kohës, po bëhet për të adresuar nevojat e administratës, është kompletuar bashkë me palët e interesit por gjatë të të gjitha fazave dhe është sjell këtu në kuvend si produkt i përbashkët institucional që krijon zgjidhje për stagnimin që e ka sjell administrata ndër vite. Është me rëndësi që secili prej nesh përgjatë trajtimit të këtij projektligji të kemi në mendje që një gjë, rekrutimet e mbyllura dhe lëvizja paralele peng i së cilës ka qenë administrata deri tani nuk kanë lejuar që zyrtarët realisht të kenë mundësi të avancohen në karrierën e tyre profesionale dhe të synojnë pozita menaxheriale”, ka thënë ai.
Ministri i Brendshëm ka thënë se gratë duhet të përfshihen më shumë në nivelet drejtuese në administratën publike.
Svecla: Gratë të përfshihen më shumë në administratën publike
“Të kemi në mendje që kemi vetëm 17 gra në nivele të larta drejtuese nga gjithsej 86 pozita, kemi 73 gra në nivelin e mesëm drejtues nga gjithsej 456 pozita, 5 në 40 gra në nivelin e ulët drejtues nga gjithsej 1774 pozita, dhe nivelin profesional kemi vetëm 4388 gra nga 11 mijë e 509 shërbyes civil”, ka thënë ministri i Brendshëm.
Sveçla ka thënë se fokusi i qeverisë është reformimi i administratës dhe krijimi i mundësive për të gjithë.
Svecla: Është e domosdoshme që administrata publike të hapet për të rinjtë
“Është e domosdoshëm që administrata publike të hapet për të rinjtë, profesionistët dhe diasporën tonë dhe që ky projektligj e mundëson këtë përmes procedurave të rekrutimit për të cilat ka paraparë se do të bëhen përmes konkurseve të hapura, dhe publike për të gjitha nivelet. Pra me aprovimin e këtij projektligji të gjithë do të kenë mundësi të aplikojnë dhe të jenë pjesë e administratës publike nëse përmbushin kriteret përmes një procesi që garanton meritokraci. E kjo garanci bëhet e mundur për shkak se procesi më i ndjeshëm ai i rekrutimit parashihet të bëhet përmes digjitalizimit si metodë që siguron transparencë, meritokraci dhe efektivitet”, ka shtuar ai.
Ky është shqyrtimi i parë i Projektligjit për zyrtarët publikë. /TV Arbëria