Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Ali Sefaj: Dimal Basha zgjidhje më e mirë se kandidatët tjerë – mund të jetë edhe president i Kosovës

Ali Sefaj: Dimal Basha zgjidhje më e mirë se kandidatët tjerë – mund të jetë edhe president i Kosovës

Analisti Ali Sefaj i ftuar në emisionin N’Pult ka folur për zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës, ku pas më shumë se 5 muajsh tentativash, kryeparlamentar i Kuvendit të Kosovës u zgjodh Dimal Basha, i propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje.

Sefaj tha se opozita bëri mirë që e votoi Dimal Bashën.

“Opozita bëri mirë që e mbajti fjalën, që e votuan Dimal Bashën, sepse ne nuk mund që të vazhdojmë në pafundësi ta shtyjmë konstituimin e Kuvendit,” tha ai në emisionin N’Pult.

Sefaj: Në krahasim me katër kandidatët paraprak, Dimali është më i mirë se ata, më pak i dëmshëm dhe më pak polarizues se ata

Analisti thotë se emri i Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit është më i përshtatshëm se kandidatët paraprak të VV-së: Albulena Haxhiut, Donika Gërvallës, Hekuran Muratit e Arbërie Nagavcit.

“Nëse e krahasojmë me katër kandidatët paraprak, Dimali është më i mirë se ata, më pak i dëmshëm se ata dhe ka qenë më pak polarizues se ata. Ndoshta Arbërie Nagavci do të ishte zgjidhje e mirë për kryetare Kuvendi për ta shpëtuar arsimin nga një nivel poshtërues i përfaqësimit të institucionit të arsimit në Republikën e Kosovës” tha ai në TV Arbëria.

“Kurti ka dasht t’i zë në befasi deputetët me propozimin e Bashës, dhe të thotë: këta po e bllokojnë konstituimin”

Ai thotë se Kurti e propozoi Dimal Bashën që t’i vë në pozicion të vështirë partitë opozitare.

“Ajo që ka vepru Kurti ka qenë t’i zë në befasi dhe të thotë se këta e bllokojnë konstituimin e Kuvendit, dhe shumica e deputetëve nuk kanë pritur që ai të propozojë Dimal Bashën.

Mua më ka habitur fakti si partitë opozitare nuk kanë qenë të përgatitura, sepse që gjashtë muaj nuk ka pasur përpjekje serioze për të pasur një alternativë të opozitës,” tha ai.

“Arroganca e Lëvizjes Vetëvendosje dhe papërgjegjësia e opozitës i ka lënë institucionet e bllokuara”

“Ajo që i ka lënë institucionet e Kosovës të pakonstituuara ka qenë arroganca e Lëvizjes Vetëvendosje dhe papërgjegjësia e opozitës”

Ai tutje thotë se Dimal Basha mund të bëhet president: “Sepse ne e dimë që deri në prillin e ardhshëm është mandati i kësaj qeverie, përveç nëse PDK, AAK dhe Lëvizja Vetëvendosje janë dakorduar që Dimal Basha të jetë president i Republikës së Kosovës, sepse njeriu që i ka marrë 73 vota mund të bëhet president i Republikës. Dhe për ta tejkaluar këtë fazë është veç një mundësi që Dimal Basha të jetë presidenti i Republikës së Kosovës”

Analisti: Nëse Albin Kurti është bërë kryeministër dhe Vjosa Osmani presidente, pse mos të bëhet Dimal Basha president?

“Nëse në Kosovë është bërë kryeministër Albin Kurti dhe Vjosa Osmani presidente, pse mos të bëhet president Dimal Basha, njeriu që i ka marrë 25 mijë vota. Ne nuk kemi të drejtë t’i nënçmojmë 25 mijë votues të Republikës së Kosovës,” thotë analisti tutje.

Emisioni i plotë: