Analisti Afrim Kasolli ka komentuar mosvotimin e nënkryetarit të Listës Serbe nga partitë PDK, LDK dhe AAK.
Kasolli thotë se ka filluar një dramë e re, pasi këto parti — PDK, LDK, AAK — sot, duke mos votuar për kandidatët e Listës Serbe, sipas Kasollit votuan në kundërshtim me praktikën e deritanishme të tyre.
“Filloi drama e re. Kuvendi mbetet i bllokuar. Nuk votohen të gjithë nënkryetarët. PDK, LDK dhe AAK në kundërshtim me mënyrën se si deri më tani kanë votuar në historinë e parlamentarizmit në Kosovë, tashmë kanë rënë në skemat e Kurtit dhe, siç duket, ashtu siç u pozicionuan kundër rekomandimeve të SHBA-ve në KQZ, po ashtu do të bëhen palë në shkeljen eventuale të Kushtetutës,” ka shkruar Kasolli.
Ai shton se kjo do të interpretohet nga Albin Kurti si fitore të shtetësisë dhe çlirimit të skenës politike nga ndikimi i Listës Serbe.
“Padyshim këtë epilog Kurti do ta interpretojë si fitore të shtetësisë dhe çlirimit të skenës politike nga ndikimi i Listës Serbe, falë punës së tij titanike dhe heroike. Do të thotë, nëse në të kaluarën partitë e ‘ish-regjimit të vjetër’ e pritnin korridoreve të Kuvendit të Kosovës Listën Serbe për bashkëqeverisje, tash nuk guxojnë të votojnë pro kandidatit të saj as në sallë”