Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reaguar pasi 6 gazetarë të RTK-së njoftuan se u larguan nga moderimi i emisioneve dhe se ato u hoqën nga skema programore.
Bëhet fjalë për disa emisione ku moderatorët kishin sfiduar me pyetje eksponentë të pushtetit.
Hoti ka thënë se RTK i censuron gazetarët që sfidojnë pushtetin kurse i favorizon ata që i miklojnë ministrat në intervista.
“Kjo qasje është e papranueshme, është kundër parimeve të funksionimit të mediumit publik të pavarur. Kjo qasje zbatohet në mediumet publike të regjimeve jodemokratike.
Ata zyrtarë të lartë të RTK-së, që po i marrin këto vendime të marra, e dinë se po bëjnë shkelje ligjore. Çfarë zori kanë që lejojnë të instrumentalizohen në këtë mënyrë nga pushteti, do ta marrim vesh me kohë.”, ka shkruar Hoti.
Tutje ai ka thënë se “ligjit nuk do t’i shpëtojnë, sado me vonesë”.
“Lista është bërë e gjatë e atyre që do të mbajnë përgjegjësi për këto shkelje.”, ka shkruar Hoti.