Prokuroria Speciale i ka kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë t’i caktojë 30 ditë paraburgim Lj.M, i arrestuar dje nën dyshimet për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan më 2023 dhe vepra të tjera penale.
I pandehuri u arrestua me të hyrë në Kosovë nga shteti i Serbisë, atje ku po qëndronte dhe punonte.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Lj.M. dyshohet se më 29.05.2023, para objektit të komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotov dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të pandehurit, janë siguruar prova materiale si një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB, dhe një maicë me mbishkrim me motive nacionaliste, me të cilat, konfirmohen veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike”, thuhet në njoftim.