Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.B, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.
I pandehuri dyshohet se duke shfrytëzuar faktin që pronari i shtëpisë ishte jashtë vendit, më 21 prill 2025 përmes dritares hyn në dhomën e gjumit të shtëpisë së tij dhe vjedh para të gatshme e gjësende, në vlerë mbi 100 mijë euro.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B, me datë 21 prill 2025, në Pejë, duke e shfrytëzuar momentin e volitshëm pasi pronari gjendej për pushime jashtë vendit, se bashku me familjen e tij, i pandehuri duke përdorur forcën hap dritaren e dhomës se fjetjes në katin e dytë të shtëpisë, hynë brenda dhe merr sasi te arit në vlerë rreth 30.000 (tridhjetëmijë) euro, para te gatshme rreth 7.000 (shtatëmijë) euro, si dhe orë te markave të ndryshme në vlerë rreth 87.000 (tetëdhjetë e shtatëmijë euro), me pas largohet nga vendi ngjarjes pa e vërejtur askush, ashtu që gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës me datë 21 prill 2025, në shtëpinë e të pandehurit gjen orët e markave të ndryshme të cilat i përkisnin të dëmtuarit dhe familjarëve të tij.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si më lartë.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.”, ceket tutje.