Doarsa Kica-Xhelili, nënkryetare e LDK-së është deklaruar pasi në vazhdimin e seancës konstituive të dielën, dështuan tre emra të propozuar nga VV për t’u zgjedhur kryeparlamentar.
Ajo ka thënë se qëndrimi i LDK-së është i qartë, se nuk ka votë për pa marrëveshje politike.
“U kemi thënë që pa marrëveshje politike, nuk ka votë Për, e me ta nuk duam e as s’bëjmë marrëveshje. Pa taktizime, pa kalkulime veçse qëndrim i qartë politik.”, ka shkruar ajo.
Duke folur për vendimin e PDK-së të mos votojnë pro Dimal Bashës, ndonëse vijë të kuqe për ta kishin vetëm ish-ministrat, Kica-Xhelili ka thënë se “me qëndrime publike vjen edhe përgjegjësia”.
“E tjerët që janë të gatshëm të bëjnë kompromise për kryekuvendar kanë sot emër dhe përgjegjësi – dhe kjo është në rregull. Me qëndrime publike, natyrshëm, vjen përgjegjësia. Secili në të drejtën e tij, poaq sa përgjegjësinë pas të drejtës. Nuk jemi të njëjtë e as s’duhet të jemi.
LDK mbetet këtu. Qëndrimet po ato – e qëndrimet tona nuk varen nga euforitë kalimtare sepse shteti nuk është “impuls”, por vetëdije.”, ka shkruar ajo.