Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Berisha: Shumica ka humbur legjitimitetin – VV s’i kalon dot as kandidatët e vet, PDK s’i voton të korruptuarit, koha e abuzimeve po mbaron!

Berisha: Shumica ka humbur legjitimitetin – VV s’i kalon dot as kandidatët e vet, PDK s’i voton të korruptuarit, koha e abuzimeve po mbaron!

Hisen Berisha, nga PDK-ja, ka deklaruar për TV Arbëria se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do duhet të rikthejë rendin kushtetues dhe t’i kujtojë qeverisë se “asnjë pushtet nuk është mbi ligjin dhe se asnjë manovër politike nuk mund të justifikojë shkeljen e afateve dhe procedurave”.

Sipas tij, “ky akt ka vulosur fundin e një skenari të paramenduar për bllokim institucional dhe ka dëshmuar se institucionet e pavarura mbeten gardianët e Kushtetutës”.

Berisha tha se seanca e sotme e Kuvendit “i vuri vulën krizës së shumicës” dhe se “qeveria nuk gëzon më as unitetin e brendshëm”.

Ai shtoi se “moskalimi në votim i kandidateve të VV-së, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk është thjesht një dështim teknik, por një sinjal politik i qartë: shumica ka humbur legjitimitetin e brendshëm dhe autoritetin moral për të udhëhequr”.

Berisha tha se qëndrimi I PDK-së mbetet e injëjtë, nuk i mbështet kandidatët e VV-së sepse “janë të penalizuar për korrupsion, krim të organizuar ose janë persona pa integritet”.

“Qëndrimi i PDK-së ka qenë i qartë dhe parimor: kjo parti nuk i voton ministrat e propozuar nga VV për shkak se ata janë të penalizuar për korrupsion, krim të organizuar ose janë persona pa integritet. Kjo e thellon edhe më shumë dështimin politik të shumicës aktuale, e cila nuk ka arritur të sigurojë besueshmëri as për kandidatët e vet”, tha ai për TV Arbëria.

“Qeveria aktuale nuk është në gjendje të ruajë kohezion, e aq më pak të ofrojë zgjidhje për sfidat e mëdha që e presin vendin”, tha ai, duke shtuar se “shumica parlamentare që nuk arrin të kalojë votime të brendshme nuk mund të pretendojë se përfaqëson stabilitet dhe vizion për Kosovën”.

Në fund, Berisha theksoi se “pushteti nuk është pronë private e një partie” dhe se “çdo përpjekje për të kapur institucionet e pavarura vetëm sa e thellon krizën”.

“Ky është momenti i reflektimit se pushteti nuk është pronë private e një partie apo mekanizëm për hakmarrje politike.

Çdo përpjekje për të kapur institucionet e pavarura vetëm sa e thellon krizën dhe minon besimin qytetar në demokracinë tonë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe votimi i sotëm në Kuvend janë paralajmërim se koha e abuzimeve po mbaron dhe se Kosova ka nevojë për rikthim te normaliteti institucional e kushtetues”, tha Berisha.