Shkruan: Afrim Kasolli
Që nga shkëputja e shqiptarëve nga Perandoria Osmane, asnjëherë nuk ka pushuar interesi edhe Turqisë moderne që ta ruajë ndikimin e saj mbi të parët. Këtë ambicie e ka përshkuar në mënyrë të jashtëzakonshme shkrimtari ynë i ndjerë Ismail Kadare, në veprën “Lamtumira e së Keqes”. Zbatimi i saj bëhet nëpërmjet metodave të ndryshme, sikur se afirmimit të idesë se si shqiptarët kishin pasur privilegje në atë Perandori, i kishin mbajtur pozitat kyçe administrative e shtetërore, e deri te kërkesa për t’i ndryshuar tekstet e historisë, duke e paraqitur Portën e Lartë jo si pushtuese, por si bashkëqeverisëse etj
Mbase normale kjo. Sepse kështu kanë vepruar edhe fuqitë tjera koloniale. Ku në vend të formave brutale të dominimit, pasi ky i fundit po bëhej i pamundur, janë shpikur metodat e varësisë ekonomike, të cilat janë shumë më të sofistikuara, mw pak të kushtueshme si dhe më pak eksplicite. Pikërisht për shkak të implementimit të tyre ka lindur termi neo-kolonializëm.
Në këtë kontekst, Ankaraja zyrtare veçanërisht në fillim të këtij shekulli është bërë gjithnjë e më insistuese në projektin e saj gjeopolitik të neo-otomanizimit, i cili mëton ta tërheq edhe Kosovën pas qerres së interesave të saj ekonomike. E tëra kjo duke e shndërruar klasën politike të vendit në kajmekamë të tyre.
Suksesin e kësaj doktrine asgjë nuk e shpalos sot me shumë se sa ajo që po ndodh me tregun energjetik. Tashmë shteti edhe subjektet politike janë vënë në shërbim të interesave financiare për përftim enorme të KEDSI-it, duke i detyruar bizneset të dalin në treg të hapur energjetik pa asnjë masë përgatitore.
Kjo e fundit, siç dihet është pronë e kompanive turke Çalik Holding dhe Limak. Dhe është privatizuar në vitin 2013, gjatë kohës kur qeverisja drejtohej nga Partia Demokratike e Kosovës. Kam shkruar edhe në të kaluarën se nuk ka kuptim ky transferim për aq kohë sa mbetet në fuqi kontrata ndërmjet KEDS-it dhe KEK-ut si prodhues i rrymës. Kjo ndërmarrje nuk duhet të punojë vetëm për të parin. Sepse kjo nuk është asgjë tjetër, pos shfrytëzim i pasurive nëntokësore të Kosovës për interesat e saj. Pra vetëm nëse anulohet kjo kontratë, mund të flasim për fillimin e liberalizimit të tregut energjetik. Për më shumë, përfitimi i rrjetit energjetik të Kosovës ishte bërë me premtimin e investimeve deri në 300 milionë euro në rrjet. Por sot e kësaj ditë qytetarët e Kosovës nuk e kanë të qartë dhe nuk kanë informata se a është mbajtur ky zotim.
Sa ishte në opozitë, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ishte betuar se më ta drejtuar shtetin do ta inicionte një komision hetimor parlamentar për ta zbardhur të vërtetën e atij privatizimi. Mirëpo, me të marrë pushtetin e ka shndërruar vetën në apologjet të kësaj koniunkture ekonomike. Megjithatë në pozitë me të mirë nuk janë as partitë opozitare. Në një reagim në rrjetin e tij social kundër kësaj katrahure ish-Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka vënë në pah se si ky sulm mbi ekonominë e vendit po bëhet nga ZRRe-ja për hir të përftimeve të Kompanisë së Shefit të stafit të kryeministrit, MDA –Energy, duke i detyruar bizneset vendore që të blejnë energjinë deri në 280 për qind me shtrenjtë. Nuk mund të mohohen këto interesa. Dhe një qëndrim i tillë nuk mund të merret si individual, por manifestim kolektiv partiak. E megjithatë, i njëjti harron ta përmend KEDS-in që është strumbullari kryesor i kësaj krize dhe kolapsi kombëtar, e i cili sot me mbështetjen e forcave policore po e errëson jetën ekonomike në vend .
Janë këta shembuj që nxisin dyshime se sidomos dy nga partitë e mëdha kryesore në vend kanë “aksione politike” në këtë kompani. Dhe se në vend se ta adresojnë kritikën e plotë ndaj asaj që po ndodh po inskenojnë se gjoja kanë dallime politike, kur në të vërtetë janë bashkë në këtë betejë në shërbim te KEDS-it.