Prokuroria Themelore në Pejë në një aksion të zhvilluar me Drejtorinë Rajonale të Policisë në këtë qytet, ka zhvilluar një aksion kundër bixhozit të paligjshëm në Isniq të Deçanit.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 13 persona dhe të njëjtit janë ndaluar më pas për 48 orë. Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm”.
“Ky aksion i udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj. Lumturije Vuçetaj, ka rezultuar edhe me sekuestrimin e rreth shtatëmbëdhjetë (17) mijë eurove nga të pandehurit bashkë me një armë të zjarrit, shufra metalike dhe thika.”, thuhet në një njoftim.
Po ashtu, janë sekuestruar edhe prova tjera materiale të cilat ndërlidhen me veprën penale të lartcekur të cilat do shërbejnë në këtë procedurë penale.
“Prokurori i shteti brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë ndaj të pandehurve për sigurimin e tyre në procedurë penale për veprimet e mëtutjeshme ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës. “, njoftohet tutje