Oda Ekonomike e Kosovës vlerëson se aksioni i sotëm i KEDS-it për shkëputjen e energjisë elektrike për bizneset që s’kanë kontratë të lidhur për furnizim me furnizues të licencuar nga ZRrE, ka goditur në mënyrën më të ulët bizneset, ekonominë e vendit dhe për më keq, qytetarët e Kosovës.
Sipas Odës, ka raste kur KEDS-i ka shkëputur energjinë elektrike edhe pse biznesi ka kontratë të lidhur për furnizim.
“Gjithashtu, kemi raste kur bizneset kanë kontrata të lidhura, por zyrtarët e KEDS-it prapëseprapë kanë shkuar për të ndërprerë energjinë elektrike. Po ashtu, kemi biznese që nuk e plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike, megjithatë edhe atyre u është ndërprerë energjia. Kjo e tregon më së miri se procesi i daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji nuk ka qenë fare i përgatitur.”, thuhet në njoftimin e OEK.
Tutje OEK-u thotë se prania e policisë në këtë aksion dërgon imazh të keq për investitorët e huaj.
“Kemi pranuar ankesa nga bizneset se zyrtarët e KEDS-it, nën shoqërimin e policisë kanë shkuar në objektet dhe hapësirat e bizneseve për të ndërprerë energjinë elektrike. Prania e policisë ka krijuar një imazh shumë negativ tek kompanitë, sidomos tek investitorët e huaj. Qëndrimi prapa i aparaturës policore në ekzekutimin e këtij vendimi paraqet jo vetëm humbje shprese për të sjellë investime të huaja, por edhe humbje të mundësive për zgjerimin e investimeve të bizneseve vendore.”, vazhdon reagimi.
Kjo Odë ka kërkuar që kalimi në treg të lirë të bëhet përmes një dialogu.
“Për këtë arsye, i bëjmë thirrje ZRrE-së të ndalojë menjëherë këto veprime arbitrare (dhunshme) dhe të kthehet në dialog me përfaqësuesit e sektorit privat për të organizuar një tranzicion të mirëplanifikuar për daljen në tregun e lirë të energjisë. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbrohen bizneset të cilat përbëjnë 60% të ekonomisë së Kosovës, kanë të punësuar 143 mijë qytetarë të vendit dhe janë më meritorët për stadin ku ka arritur zhvillimi i shtetit të Kosovës.
Një vendimi të tillë si sot, të vetmit që iu janë gëzuar janë armiqtë e Kosovës.”, ka deklaruar Oda.