Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > RTK-ja kërkon kredi nga Ministria e Financave për ta zgjidhur problemin me pagat

RTK-ja kërkon kredi nga Ministria e Financave për ta zgjidhur problemin me pagat

Hysen Hundozi, ushtruesi i detyrës së Drejtor i Përgjithshëm të RTK-së, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Financave për të aplikuar për kredi, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje për problemin e pagave.

Tash e 14 ditë punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë mbetur pa paga, për shkak të mos ndarjes së buxhetit nga Kuvendi i Kosovës për transmetuesin publik.

Përmes një sqarimi në profilin e tij zyrtar, Hundozi ka bërë me dije se ka arritur deri te një modalitet i ligjshëm që mundëson ndihmën e Qeverisë për RTK-në deri në konstituimin e Kuvendit.

Hundozi pret që kërkesa e tyre zyrtare për kredi të trajtohet me prioritet dhe të arrihet një zgjidhje për punëtorët e RTK-së.

“Për shkak të pamundësisë për të komunikuar drejtpërdrejt me themeluesin tonë, Kuvendin e Kosovës, ne iu kemi drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës, me të cilën kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë për tejkalimin e gjendjes. Gjatë kësaj periudhe janë shqyrtuar alternativa të shumta, derisa kemi arritur bashkërisht te një modalitet i ligjshëm që mundëson ndihmën e Qeverisë për RTK-në deri në konstituimin e Kuvendit. Kërkesa jonë zyrtare për kredi është dorëzuar në Ministrinë e Financave dhe ajo po trajtohet me prioritet. Presim që shumë shpejt ajo të realizohet, në mënyrë që ne të vazhdojmë normalisht punën tonë”, ka shkruar ai.