Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar dy aktakuza të ndara në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj M.M. dhe A.B., për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Në njoftimin për media të Prokurorisë thuhet se M.M., ka bërë thirrje për masakra ndaj hebrenjve dhe të krishterëve, duke publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, foto dhe video të personave të radikalizuar dhe duke shfaqur në publik thirrje për ekstremizëm fetar.
Ndërsa, A.B, akuzohet se ka bërë thirrje që të respektohen ligjet e “Sheriatit”, e të kundërshtohet sistemin demokratik, simbolet shtetërore dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë ka reaguar gjeneral Hysen Gecaj, i cili ka thënë se nuk mund t’u bëhet ftesë atyre që, me qëllim ose nga padituria, po prodhojnë “mish për top” dhe po ushqejnë errësirën mendore.
“Ftesa i adresohet klasës intelektuale – atyre që kanë dije, ndërgjegje dhe përgjegjësi – që të ngrihen dhe të jenë më aktive në vetëdijësimin e popullit për terrin që po i servohet vendit dhe kombit.”, ka shkruar Gecaj në Facebook.
Ai tutje shton se intelektualët nuk e kanë luksin e heshtjes.
“Ata e kanë për detyrë, për borxh moral, njerëzor dhe kombëtar të flasin, të udhëheqin dhe të mbrojnë të vërtetën. Heshtja e tyre sot është lëshimi më i madh që mund t’i bëhet së keqes.”, ka shkruar gjenerali në Facebook.