Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka reaguar pas Aktvendimit të Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila i dha dritën jeshile liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
DhTIK ka thënë se shpreh shqetësimin e thellë për këtë vendim duke shtuar se procesi ka një mori shkeljesh ligjore dhe procedurale.
“DhTIK vlerëson se gjykata ka pasur mjaftueshëm prova dhe argumente të qarta për shkeljet e bëra, të cilat janë prezantuar në mënyrë të përsëritur në çdo takim me institucionet, por fatkeqësisht nuk janë marrë për bazë.”, thuhet në njoftim.
Sipas Dhomës, ky vendim do të rrezikojë mijëra vende të punës e rrisë çmimin e produkteve, veç të tjerash.
“Ne ritheksojmë se forma e zgjedhur nga ZRRE, e përkrahur në heshtje nga të gjitha institucionet relevante, do të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, përfshirë:
- Rritje të ndjeshme të çmimit të energjisë elektrike,
- Rritje të çmimit të produkteve
- Rrezikimin e mijëra vendeve të punës,
- Uljen e prodhimit vendor dhe mbytjen e tij nga importet që po rriten çdo ditë,
- Mbylljen e një numri të madh veprimtarish biznesore”, thuhet në njoftim.
DhTIK i ka bërë thirrje edhe njëherë ZRRE-së dhe Qeverisë në detyrë që të pezullojnë menjëherë zbatimin e vendimit dhe të hapin një proces të rishqyrtimit transparent, duke respektuar konsultimet publike dhe përfshirjen e komunitetit të biznesit, siç kërkohet nga ligji.
“Gjithashtu institucionet të ndajnë mjete shtesë në përkrahje të bizneseve në mënyrë që të mos ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe të ardhmen e vendit tonë.”, njoftohet tutje.