Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka kritikuar Qeverinë për masat lidhur me krizën energjetike. Ai në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend për këtë temë ka thënë se Qeveria ka eksperimentuar me masat emergjente.
Ai madje ka shtuar se Qeveria nuk ka bashkëpunim me opozitën. Lekaj ka shtuar se Qeveria nuk e ka marrë seriozisht gjendjen me energjinë.
“Në emër të Grupit Parlamentar nuk di si ta komentoj këtë tentim vendim të qeverisë. Qysh nga fillimi i qeverisjes Kurti nga mosdija për udhëheqje është eksperimentuar në baza emergjente. E nderuar Qeveri, lidhur me këtë temë keni mospërputhje të njohjes së konceptit emergjent sepse është e 6-ta herë që e shpallni këtë gjendje. Tregojuni qytetarëve që nuk bashkëpunoni me opozitën”.
“Tregojuni që jeni Qeveri e hajgareve. Tregojuni si të flenë si lahen, si të vishen e si t’i izolojnë shtëpitë. Për fat te keq për Kosovën kjo qeveri nuk ka lidhur kontratat jashtë shtetit për furnizim me energji. Përballë të gjitha këtyre problemeve vendimi më i mirë është që ta quajmë ministri apo Qeveri emergjente”. /TV Arbëria