Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Komuna e Prishtinës shpenzoi rreth 1.3 milionë euro për 120 kamera për mbikëqyrjen e trafikut: Deri në fund të vitit pritet të vendosen edhe 20

Komuna e Prishtinës shpenzoi rreth 1.3 milionë euro për 120 kamera për mbikëqyrjen e trafikut: Deri në fund të vitit pritet të vendosen edhe 20

Deri më tani, në Prishtinë janë vendosur rreth 120 kamera për mbikëqyrjen e trafikut. Projekti i përgjithshëm për sistemin e kamerave për mbikëqyrjen e trafikut në Kryeqytet ka një kosto totale prej rreth 1.3 milion euro. Ky investim përfshin pajisjet, instalimin, sistemin e menaxhimit dhe integrimin e tyre me qendrat përkatëse të monitorimit.

Kështu kanë bërë të ditur nga Komuna e Prishtinës, në një përgjigje për TV Arbëria.

“Ato janë instaluar në hyrje-daljet e Prishtinës, në udhëkryqet dhe sheshet kryesore, në tunelin e Dardanisë, në semaforët kryesorë si dhe në zonën e Parkut të Gërmisë. Vendosja e tyre është bërë me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe mbikëqyrjes efektive të lëvizjes në qytet.”, kanë thënë nga Zyra për Informim e komunës.

Nga komuna kanë shtuar se është planifikuar të vendosen edhe mbi 20 kamera të reja deri në fund të vitit.

“Projekti për vendosjen e kamerave është aktualisht në fazën e katërt të implementimit. Sipas planit të përbashkët të përgatitur nga Policia e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, deri në fund të këtij viti pritet të vendosen mbi 20 kamera të reja. Lokacionet specifike janë të përcaktuara në bazë të vlerësimit të rrezikshmërisë, me fokus në zonat me fluks të madh qarkullimi dhe pikat e identifikuara si të ndjeshme për sigurinë publike.”, thuhet tutje në përgjigje.

Televizioni është interesuar edhe të dijë nëse vendosja e këtyre kamerave nuk do ta cenojë sigurinë e qytetarëve.

Nga komuna kanë thënë se kanë konsultuar edhe Agjencinë për Informim dhe Privatësi përpara se t’i vendosin ato.

“Kryeqyteti në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është konsultuar me Agjencinë për Informim dhe Privatësi para vendosjes së kamerave. Janë marrë të gjitha pëlqimet dhe autorizimet e nevojshme për të siguruar që sistemi i mbikëqyrjes të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe të mos cënojë privatësinë e qytetarëve.”, ka thënë Arlinda Kastrati, nga Zyra e Komunikimit.

Vendosja e kamerave për mbikëqyrjen e trafikut filloi në shkurt të vitit të kaluar.