Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > AUV për TV Arbëria: Kosova ka ndalesë aktive për 9 vende për importimin e kafshëve, gjatë 2025 u bllokua hyrja e produkteve nga Shqipëria e Rumania

AUV për TV Arbëria: Kosova ka ndalesë aktive për 9 vende për importimin e kafshëve, gjatë 2025 u bllokua hyrja e produkteve nga Shqipëria e Rumania

Kosova ka ndalesë aktive për 9 vende për importimin e kafshëve/produkteve shtazore në vendin tonë.

Kjo ndalesë është bërë për shkak të informacioneve se në këto vende ka sëmundje të konfirmuara të kafshëve.

Kështu kanë thënë për TV Arbëria nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës.

“Shtete për të cilat ka ndalesa aktive për moment janë; Sllovakia, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Greqia, Rumania dhe Brazili.”, ka thënë Lamir Thaçi, zëdhënës në AUV.

Nga AUV kanë thënë se ndalesa e importit të kafshëve të gjalla dhe produkteve shtazore është bërë për arsye të shpërthimit  të sëmundjeve infektive si: Murtaja Afrikane e Derrave (ASF), Gjuha e Kaltër (Bluetongue), PPR, Afta Epizotike etj., apo në raste të shkeljeve të rregulloreve veterinare dhe mungesës së garancive të duhura nga autoritetet kompetente të vendeve eksportuese.

“Këto ndalesa kanë karakter të përkohshëm dhe zgjasin deri në përmirësimin e situatës epizootike në vendin eksportues ose deri në sigurimin e garancive të reja nga autoritetet kompetente të atij vendi.”, kanë sqaruar nga AUV-i.

Lamir Thaçi nga ky institucion i ka thënë televizionit se analizat e produkteve të importuara bëhen në përputhshmëri me planin nacional të mostrave zyrtare apo dyshimit/vlerësimit të inspektorit kompetent në raste dyshimi.

“Ne rast të rezultatit pozitiv, importuesi vendoset nën masën e mostrimit te vazhdueshëm deri në 10 importe të realizuara (kusht është që të gjitha të jenë negative e që të vazhdohet me mostrime normale për ngarkesa)”, ka sqaruar ai.

Televizioni ka pyetur AUV-in edhe se në sa raste janë tërhequr produkte nga tregu në këtë vit dhe për çfarë arsye.

Nga ky institucion kanë thënë se në dy raste produkte të caktuara nuk janë lejuar që të hyjnë në tregun e Kosovës.

“Gjatë vitit 2025 kemi pasur 2 raste te cilat nuk janë lejuar që të hyjnë në tregun e Republikës së Kosovës.

  1. a)         MDM Pule me sasi 1500 kg e importuar nga Rumania për arsye të prezencës së Salmonellës (është bërë asgjësimi i sasisë)
  2. b)         Qumësht me sasi  10080 Litra e importuar nga Republika e Shqipërisë për arsye të prezencës së Aflatoxinës (është bërë asgjësimi i sasisë)”, ka deklaruar ai.

Ndryshe vetëm në javët e fundit AUV-i ndaloi importimin e derrave nga Kroacia, pas shpërthimit të mortajës afrikane dhe ndaloi importin e derrave, gjedheve, deleve dhe dhive nga Serbia për shkak të shpërthimit të sëmundjes “Gjuha e Kaltër”.