Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka pranuar 283 policë të rinj gjatë këtij viti.
Këta policë janë gjenerata e 62 e Policisë së Kosovës që kanë diplomuar në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri në korrik të këtij viti.
“Aktualisht gjatë këtij viti janë punësuar 283 policë të rinj (Gjenerata 62) dhe varësisht nevojës mund të hapen edhe konkurse tjera siç ishte konkursi i fundit për zyrtarë policorë në muajin korrik 2025“, kanë thënë nga Policia e Kosovës për TV-Arbëria
Konkursi i fundit ka të bëjë me pranimin e 350 zyrtarëve të rinj policorë dhe ishte i hapur nga 17 qershori deri më 7 korrik.
TV Arbëria ka pyetur Policinë edhe se a ka mjaftueshëm policë në pjesën veriore të vendit.
Në një përgjigje për televizionin, nga PK-ja kanë thënë se të gjitha drejtoritë rajonale kanë numër të mjaftueshëm të personelit policor.
“Të gjitha Drejtoritë Rajonale kanë numër të mjaftueshëm të personelit policorë për të kryer detyrat policore bazuar në autorizimet dhe sipas zonës së tyre të përgjegjësisë.”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, më shumë se 300 policë serbë të angazhuar në pjesën veriore u dorëhoqën dhe i dorëzuan uniformat në nëntor të vitit 2022.
Që nga atëherë ka pasur konkurse të shpeshta për pranimin e stafit të ri policor në këtë zonë të vendit.