Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Rrëfimi i rrallë i Avni Ajetit, bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit

Rrëfimi i rrallë i Avni Ajetit, bashkëluftëtar i Zahir Pajazitit

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Ajeti, nga zona operative e Llapit, ka qenë i ftuar në emisionin “ARB Debat” me Rid Berishën në TV Arbëria. Ai, përmes intervistës, rrëfen shumë të pathëna nga përvoja e tij në UÇK, që në moshë të hershme.

Ajeti tregon si vendosi të marrë pjesë në luftën e UÇK-së: I ke pas dy rrugë: ose mërgimin, ose me kap pushkën me luftu

Ai në “ARB Debat” rrëfen sesi i erdhi deri te vendimi që t’i bashkohej luftës së UÇK-së kundër pushtuesit serb. Njëra nga arsyet ishte edhe maltretimi i familjarëve.

“Për shkak të vuajtjeve, maltretimeve të papara ndaj prindit, arrestimi i vëllaut, ky represion duke ndodh në familjen time. I ke pas dy rrugë: ose mërgimin, me marrë rrugën me ik, ose me kap pushkën me luftu. Ajo periudhë e angazhimit tim rreth UÇK-së, në njëfarë forme, ma ka pasu edhe vëllau im i ndjerë, Nazmiu. Aty ku e kom ndje më së shumti kanë qenë vitet 1993, ku familja e mixhës, familja jem dhe e një kusheriri, për 24 orë kontrollohen, rrethohen. Aty kapet armatim bukur i madh, dhe ai presioni i vazhdueshëm… Aty, si 16-vjeçar, i prangosur, maltretimi ndaj babës, nanës, motrës…”, tha ai në “ARB Debat”.

Ajeti tregon takimin me Zahir Pajazitin: Një djalë i sprovuar, trim e vizionar

Tutje, si rrallëherë, tregon edhe takimin e tij me dëshmorin Zahir Pajaziti. E përshkruan si trim e vizionar.

“Vëllau Nazmiu, në vitin 1994, më takoi me Zahir Pajazitin. Tha: ‘Shko takoje dhe hajde deri në Shqipëri’. Unë me Zahirin shkuam edhe me disa shokë tjerë. Unë, në moshë, isha bukur diferencë, sepse ai ishte 15 vjet para meje. Edhe ai ishte i pjekur, një djalë i sprovuar, trim, i arsyeshëm, vizionar. Pas tre muajve atje, na u kthyem në Kosovë me Zahirin,” ka thënë veterani në TV Arbëria.

Tutje Ajeti thotë se sot vazhdon të habitet se si këta të rinj të UÇK-së morën guximin të ballafaqohen me pushtuesin serb, pa pasur përvojë të mëhershme.

“Aty e takova Ilir Konushefcin, Hakifin, nipin e tyre… Unë sot habitem ku e kanë marrë ata atë guxim, ku ja kanë qit numrat. Unë sot habitem: kush janë ata djem? Edhe them: këta djem a janë rrit këtu në Kosovë? Çfarë barre kanë marrë përsipër për me krijue qelizat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”

Ajeti: Në tri shkronjat UÇK, shoh guxim, trimëri, plagë, luftë, varre e lot nënash…

“Në këto tri shkronja, gjithçka shkrihet: guximi, trimëria, plagë, luftë, varre, lot nënash… Gjithçka çka mundet me paramendu një njeri, unë në ato tri shkronja i shoh.”

Luftëtari i UÇK-së tregon një ngjarje të rëndë për të, momentin kur shoku i tij, në moshë të re, kishte dhënë jetën në prehërin e tij gjatë luftimit.

“Unë nuk mundem me u ndal me mendu ashtu thellë për të, është shumë e rëndë. Unë kam rast – një shok i imi është martuar, ka ardhë në Ushtrinë Çlirimtare edhe ka dhënë jetë në prehërin tim gjatë luftimit. Edhe thotë: ‘Nxjerre unazën dhe ktheja familjes…’”

“Jam krenar që luftova për lirinë e popullit tim”

Veterani i UÇK-së flet edhe për protestën në sheshin e Prishtinës kundër Gjykatës Speciale, duke thënë se do të marrë pjesë bashkërisht me familjen e tij.

“Bashkë me fëmijët e mi do të marrë pjesë në protestën kundër Gjykatës Speciale” shton ai tutje.