Ish-i burgosuri politik dhe veprimtari Xhevat Bislimi në emisionin N’Pult në TV Arbëria me Resim Morina, e ka cilësuar Gjykatën Speciale si një padrejtësi të madhe ndaj Kosovës dhe si rezultat të presionit ndërkombëtar me prapavijë politike.
“Themelimi i Gjykatës së Specializuar ka qenë një nga padrejtësitë më të mëdha që i është bërë Kosovës”
Në një deklaratë publike, Bislimi e cilëson krijimin e kësaj gjykate si një akt të padrejtë që synon damkosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe çrregullimin e narrativës së luftës çlirimtare.
“Gjykata Speciale është rezultat, kryesisht për mos me thanë kryekëput, i Serbisë me përkrahjen e Rusisë dhe qarqeve tjera, që janë mike e aleate të Serbisë”
Sipas tij, kjo gjykatë është një projekt i shtyrë nga Serbia dhe mbështetur nga Rusia dhe qarqe të tjera ndërkombëtare, të cilat kanë interesa të përbashkëta me Beogradin për ta dëmtuar shtetësinë dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Argumenti themelor mbi bazën e të cilit është zhvilluar projekti dhe është krijuar Gjykata Speciale është argumenti i Dick Marty-t dhe i Këshillit të Evropës për trafikim organesh, gjoja se paska ba Ushtria Çlirimtare e Kosovës”
Bislimi kujton se gjithë ideja për krijimin e kësaj gjykate është ngritur mbi një raport të fabrikuar, i cili pretendonte për trafikim organesh nga ana e UÇK-së – një pretendim që, sipas tij, është rrëzuar edhe nga vetë Gjykata Speciale.
“Ky argument doli se ishte i sajuar, i pabazuar, ra poshtë edhe nga vetë gjykata”
Ai thotë se edhe pse raporti mbi të cilin u ngrit Gjykata u diskreditua, ajo vazhdon të funksionojë mbi dëshmi të dyshimta dhe dëshmitarë të manipuluar nga shërbimet sekrete serbe.
“Gjykata vazhdon me dëshmi, nganjëherë qesharake, me dëshmitarë të udhëhequr e drejtuar nga shërbimet serbe”
Bislimi shton se proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë janë të ndikuara politikisht dhe nuk kanë bazë të fortë ligjore.
“Vazhdimi i këtij procesi tregon se qëllimi i krijimit të Gjykatës Speciale ishte politik”
Përfundimisht, Bislimi shprehet se kjo gjykatë nuk është krijuar për drejtësi, por për qëllime të qarta politike, që kanë për synim goditjen e UÇK-së dhe delegjitimimin e luftës së Kosovës për liri.
Ai, ndër të tjera, në emisionin “N’Pult”, bën thirrje që të dalin të gjithë në protestën e thirrur kundër padrejtësive nga Gjykata Speciale – protestë kjo e organizuar nga OVL-UÇK dhe organizatat e tjera të dala nga lufta.
Ai thotë:
“Dalja në protestë më 7 gusht është dalje në mbrojtje të lirisë së Kosovës”