Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar sot një letër zyrtare nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai e falënderon për lidershipin e saj të guximshëm, miqësinë ndaj SHBA-ve dhe përkushtimin e vazhdueshëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në letrën e tij, Presidenti Trump vlerëson rolin e Kosovës në çështje ndërkombëtare dhe shpreh vlerësim të veçantë për vendimin e institucioneve kosovare për të pranuar shtetas nga vende të tjera, si pjesë e bashkëpunimit me SHBA-në. Sipas Trump, ky veprim dëshmon fuqinë dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës, si dhe gatishmërinë për të qëndruar krah për krah me Shtetet e Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respekt të ndërsjellë, vlera demokratike të përbashkëta dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese” shkruan Trump.
Më tej, ai thekson se përkushtimi i Presidentes Osmani për forcimin e kësaj lidhjeje “nuk ka kaluar pa u vërejtur”, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë” përfundon Presidenti amerikan.
Në fund të letrës, Presidenti Trump i përcjell Presidentes Osmani urimet më të mira edhe nga Zonja e Parë, Melania Trump. /TV Arbëria