Lirim Mehmetaj ka reaguar ndaj presidentes, Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit njoftoi tërheqjen e lëndës nga Kushtetuesja, për t’i sqaruar pasojat e moskonstituimit të Kuvnedit brenda afatit 30-ditor, për shkak se siç thotë ajo Radomir Laban, ishte caktuar si gjyqtar raportuese, duke thënë se paraqet “rrezik për sigurinë kombëtare”.
Sipas Mehmetajt, ky reagim i Osmanit është selektiv dhe i vonuar. Ai thotë se raportet në fjalë flasin për përfitime të paligjshme të pronave në veri të vendit nga ana e shtetit serb, ku përveç Radomir Labanit, të përfshira janë edhe motrat e tij: Denica Laban dhe Gordana Laban Zuviç. Kjo e fundit, sipas Mehmetajt, është dekretuar nga vetë Osmani si përfaqësuese e Listës Serbe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
“A i kishte Vjosa Osmani këto informacione kur e dekretoi?”, pyet Mehmetaj. “Pse nuk e konsideroi atëherë si rrezik për vendin?”
Ai ngre edhe një sërë pyetjesh të tjera kritike:
A janë këto raporte të sigurisë dërguar edhe në Prokurori?
Nëse po, cilat hapa janë ndërmarrë? Nëse jo, pse jo?
Pse presidentja nuk ka reaguar më herët nëse organet e drejtësisë kanë heshtur?
Në vijim, Mehmetaj sugjeron se qëllimi i vërtetë i Osmanit nuk lidhet me sigurinë kombëtare, por me zhvillimet politike dhe frikën se mund të humbasë skenën politike. Ai pretendon se Osmani ka marrë informacione se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë që mandati për formimin e institucioneve t’i kalojë subjektit të dytë, që do të zgjidhte kryetarin e Kuvendit – i cili, në mungesë të presidentit, do të bëhej ushtrues detyre i presidentit.
Sipas tij, kjo do ta përjashtonte Osmanin nga gara për një mandat të dytë presidencial, gjë që ajo po përpiqet ta shmangë përmes kërkesës për zgjedhje të reja.
“Osmani, njëjtë si Albin Kurti, dëshiron që Kushtetuesja të na çojë në zgjedhje, për të qëndruar në lojën politike dhe për të ruajtur pozitat”, shkruan Mehmetaj.
Ai përfundon postimin duke ndarë edhe dokumente që pretendojnë të tregojnë dekretimin e Gordana Laban Zuviç nga presidentja, ndonëse, sipas tij, ajo kishte dijeni për përfshirjen e saj në përfitime të dyshimta pronësore në veri të Kosovës.