Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e së hënës, ku në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish-drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.
Sveçla në Facebook ka thënë se nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë së Kosovës.
“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë. Mbështes dhe njëkohësisht insistoj në veprime edhe më të vendosura të Inspektoratit, që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend”, ka shkruar ai.