Shkruan: Afrim Kasolli
Kohën e fundit në sërë zyrtarësh amerikanë të administratës Trump, kanë filluar ta vizitojnë Kosovën. Fillimisht pas qëndrimit në Bosnje dhe Serbi, në vendin tonë ishte zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shteti për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan. Ai u takua me të gjithë liderët kryesorë të partive politike parlamentare. Në komunikatën zyrtare të Ambasadës amerikane, është thënë se “qëllimi i kësaj vizite kishte të bënte me avancimin e përpjekjeve diplomatike të SHBA-ve në drejtim të stabilitetit dhe prosperitetit rajonal”. Pa kaluar shumë kohë Uashingtoni njoftoi se është pajtuar për vazhdimin e Programit e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën. Pas kumtimit të këtij lajmi filloi një rivaliteti i brendshëm diplomatik ndërmjet Presidentes Vjosa Osmani si dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, se kush është më meritori për këtë trofe shtetërore. Mbase një konkurrencë e pritshme kjo.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme në Kosovë ka zbarkuar zëvendës ndihmësi Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker. Po ashtu sipas komunikatës së Ambasadës Amerikane në vendin tonë, i njëjti do të takohet me përfaqësuesit politikë për të diskutuar bashkëpunimin reciprok ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovë në funksion të promovimit të sigurisë rajonale. Ndërkaq në një komunikatë për media nga Qeveria në detyrë, thuhet se kryeministri Albin Kurti ndër të tjera është diskutuar për “fuqizimin edhe më tej të raporteve më SHBA-në në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë në këtë sektor”.
Sidoqoftë, është interesant se në ato që deri më tani Ambasada amerikane i ka bërë të ditura për publikun si tema që janë trajtuar në këto takime, ka munguar tema e dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe theks të vençantw detyrimet që dalin për të dy vendet sa i përket zbatimit të Marrëveshjes bazë të normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas planit franko-gjerman. Dhe ky fakt i dallon këto vizita nga ato përfaqësueseve tjerë të vendeve të Bashkimi Evropian, por jo vetëm. Pro zbatimit të këtyre obligimeve në mënyrë të qartë ishte edhe e dërguara britanike për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce. Në një prononcim për mediumin BBC në gjuhën serbe, ajo ka deklaruar, se nuk duhet qasje e re në dialogun Kosovë–Serbi, por zbatim i marrëveshjeve ekzistuese. Sipas saj si Marrëveshja e Brukselit ashtu edhe Aneksi i Ohrit përmbajnë ide të mira, por sfidë mbetet zbatimi. Kurse sipas mediave gjatë ditës së djeshme, po ashtu, presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq, kanë zhvilluar një bisedë telefonike ku është diskutuar edhe për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. E ku sipas liderit francezes duhet dënuar të gjitha veprimet e njëanshme që e dëmtojnë këtë proces. Këtu duhet kujtuar se deri më tani Brukseli si të tilla i ka konsideruar vetëm sjelljet e Prishtinës, për çka edhe Kosova vazhdon të jetë nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian.
Në këtë kontekst, kjo indiferencë publike amerikane në raport me këtë temë mbase me të drejtë mund të nxisë dyshime se Uashingtoni nuk është duke e mohuar mundësinë e inicimit të një procesi të dialogut paralel me atë të Brukselit, të ngjashme me atë të vitit 2020, me fokus raportet bilaterale të SHBA-ve me të dy vendet. /TV Arbëria