Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Gjykatës Komerciale, të cilin e cilëson si të paligjshëm dhe të rrezikshëm për interesin publik.
Sipas Tahirit, Gjykata Komerciale – e themeluar nga Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes – ka vendosur në favor të një kompanie private, duke detyruar Ndërmarrjen Publike Banesore që të përmbushë një kontratë e cila kishte skaduar me kohë, dhe asnjëherë nuk kishte hyrë në zbatim.
Vendimi lidhet me një kontratë të lidhur gjatë mandatit të dytë të Vetëvendosjes në Prishtinë (2017–2021), që PDK e kishte kundërshtuar vazhdimisht, madje duke kërkuar anulimin e saj në rrugë ligjore.
“Edhe pse kërkesëpadia e këtij konsorciumi privat kishte si kërkesë të parë përmbushjen e kontratës dhe si kërkesë të dytë kompensimin e dëmit material dhe fitimit të humbur në vlerë prej mbi 36 milionë euro, Gjykata Komerciale e Kosovës as nuk e refuzoi kërkesën për kompensim të dëmit, por e detyroi Ndërmarrjen Publike Banesore të përmbushte një kontratë, zbatimi i së cilës asnjëherë nuk kishte filluar. Si rrjedhojë, vendimi i gjykatës për të përcaktuar një detyrim për përmbushjen e saj ishte i pabazë dhe i kundërligjshëm”, ka thënë Tahiri.
Edhe pse kontrata kishte skaduar dhe nuk ishte zbatuar kurrë, Gjykata jo vetëm që nuk e refuzoi kërkesën për dëmshpërblim, por e detyroi ndërmarrjen publike ta përmbushë kontratën – një vendim i pabazë dhe i kundërligjshëm.
Në kundërpërgjigje, Tahiri ka organizuar një ekip prej juristëve të pavarur, nën udhëheqjen e avokatit Faton Fetahu, për ta ndjekur çështjen në Gjykatën e Apelit.
Tahiri tha se kjo është një tjetër dëshmi e mënyrës se si qeveria në ikje po tenton të zbrazë arkën publike në ditët e fundit të mandatit të saj.
“Betejën për drejtësi, për mbrojtjen e interesit publik dhe të qytetarëve të Prishtinës, do ta ndjekim në çdo hap dhe në çdo instancë gjyqësore.”
PDK ka dorëzuar sot zyrtarisht ankesën në shkallën e dytë, duke paralajmëruar ndjekje të vazhdueshme të këtij rasti si çështje me përmasa serioze për drejtësinë, buxhetin dhe qytetarët e vendit.