Arben Gashi, deputet i LDK-së ka thënë se marrja dhe përdorimi i materialeve të prodhuara nga institucionet represive të ish-Jugosllavisë dhe më vonë të Serbisë si prova në Dhomat e Specializuara, përbën shkelje të rëndë të të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Ai ka thënë se Kosova ka pasur dhe ka institucione ndërkombëtare të pranishme në terren që kanë hetuar krimet e luftës, përfshirë:
- Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi (ICTY),
- Misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK),
- si dhe EULEX-in, misionin e BE-së për sundimin e ligjit.
“Këto institucione kanë pasur qasje të drejtpërdrejtë në vendin e ngjarjes, kanë hetuar me standarde ndërkombëtare dhe kanë ndërtuar dosje të besueshme. Prandaj, përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga aparati shtetëror serb është i papranueshëm dhe cenon rëndë integritetin e drejtësisë në Kosovë.”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij Kuvendi duhet të nxjerrë një ligj të posaçëm që ndalon përdorimin e materialeve të prodhuara nga institucionet represive të Serbisë si prova në gjykatat vendore apo ndërkombëtare që kanë juridiksion mbi Kosovën.
“Të amandamentojë Ligjin për Dhomat e Specializuara, si dhe, nëse është e nevojshme, Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale.”, ka shkruar Gashi.