Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, në krye me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, në vazhdën e vendimeve që janë marrë, është vendosur të hiqen tarifat prej 10% ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ndërkohë që vendimet nga qeveria në detyrë po merren, Gjykata Supreme disa ditë më parë kishte vënë në pah vendimin se kjo qeveri në detyrë sipas ligjit nuk mund të marrë vendime madhore.
Ironikisht, sot pas vendimit për tarifat e SHBA-së nuk pati ndonjë kundër reagim ndaj qeverisë në detyrë.
Për këtë ka shkruar edhe analisti politik Afrim Kasolli. Ai thekson se kur është në pyetje Amerika, ky vendim anti-ligjor i qeverisë në detyrë po përshëndetet, e nuk po kundërshtohet.
“Si po e mirëpresin të gjithë një vendim anti-ligjor të Qeverisë Kurti?
Gjatë ditës së sotme Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria e tij ka marrë vendim për heqjen e tarifës prej 10 për qind për produktet që vijnë nga SHBA-ja. Mirëpo, nëse i referohemi aktgjykimit të Gjykatës Supreme, anëtarët e kabinetit qeveritar që janë edhe deputetë nuk kanë të drejtë të marrin vendime ekzekutive. Por siç duket natyra e vendimit, pasi është në pyetje SHBA, nuk do të jetë pengesë që të denjohet ky vendim anti-ligjor i kësaj Qeverie. Përkundrazi të përshëndetet.”, ka shkruar Kasolli në Facebook.
Lidhur me këtë, në një prononcim për TV Arbëria, juristi Blerim Burjani ka thënë se heqja e tarifave tregtare të SHBA-së është pozitive dhe se kjo qeveri duhet të ketë kujdes pasi në aspektin e vendimmarrjes janë të limituar.
Sipas tij, në kuptimin politik është vendim i duhur.
“Ky është një vendim teknik tregtar, normal i rëndësishëm, por kjo qeveri në të ardhmen duhet të ketë kujdes, për shkak të limiteve në vendimmarrje, po iu kujtoj kjo qeveri mund të marrë vendime çfarëdo qofshin dhe janë të vlefshme përderisa nga partitë politike e çojnë në Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata e rrëzon, në të kundërtën kjo mund të tejkalojë edhe me nxjerrje me vendime tjera që duhet pastaj të apelohen në gjykata, por heqja e tarifave tregtare për SHBA është pozitive”, ka thënë Blerim Burjani.
Burjani tutje potencon se nuk ka pasur reagime për vendimin e qeverisë në detyrë për shkak të raporteve miqësore me SHBA-të.
“Nuk ka pasur reagim për shkak të raporteve që i kemi me SHBA, miqësore
është miku më i madh i Kosovës
për këtë arsye nuk ka reagim të opozitës dhe askush tjetër”, tha Burjani. /TV Arbëria