Ish-deputetja Melihate Tërmkolli ka reaguar me tone të ashpra ndaj, siç thotë ajo, sulmeve të vazhdueshme ndaj simboleve kombëtare shqiptare në Kosovë.
Në një postim publik, Tërmkolli ka përmendur disa ngjarje që sipas saj janë pjesë e një fushate të qëllimshme antishqiptare.
“Fillimisht e dogjën flamurin – simbol i Dardanisë, në mes të Prishtinës, para Kuvendit të Kosovës! Pastaj e larguan nga institucionet fotografinë e Nënës Terezë, tani ‘Shën Tereza’, dhe të Presidentit historik dr. Ibrahim Rugova! Tani së fundmi, iu vërsulën dhe e shkelën me këmbë flamurin kombëtar shqiptar, ndërsa dje, në Prizrenin historik, e paskan përdhosur shtatoren e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti”, ka shkruar ajo.
Tërmkolli thekson se këto nuk janë veprime të izoluara apo të rastësishme.
“S’ka asgjë të rastësishme! Fallangat antishqiptare, serbe dhe islamike, po marshojnë drejt rrënimit dhe zhdukjes së shqiptarëve si komb dhe si shtete – të pa trazuar nga ata që kanë për detyrë ta ruajnë dhe ta mbrojnë kombin e shtetin”, ka shkruar më tej Tërmkolli.
Ajo përfundon reagimin e saj duke thënë se “faji dhe përgjegjësia kanë emër”.