Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > A dëshmoi administrata Trump se nuk ka telashe me Albin Kurtin si kryeministër edhe për një mandat?

A dëshmoi administrata Trump se nuk ka telashe me Albin Kurtin si kryeministër edhe për një mandat?

Shkruan: Afrim Kasolli

Gjatë ditës së djeshme, presidentja Osmani njoftoi opinionin, se SHBA-të janë pajtuar për vazhdimin e Programit e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën. Sipas të parës së shtetit, vazhdimi i këtij projekti u bë i mundur vetëm pasi ajo, i ka dërguar letër zyrtare, Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, si dhe pas takimeve të suksesshëm që ka pasur me Zëvendës Sekretarin Landau, gjatë vizitës së saj në Uashington, e ku është diskutuar në detaje për përfitimet e dyanshme të këtij programi”. Në këtë mënyrë, presidentja Osmani nuk ka dyshim se ka synuar ta paraqes këtë nismë si një nga trofetë e saj diplomatike.

Ndërkohë, pas kumtimit të këtij lajmi, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Edhe ky i fundit nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social e përshëndeti këtë zhvillim si dhe duke e anashkaluar plotësisht rolin lobues të presidentes Osmani. Sipas të parit të kësaj Qeverie (problematike në aspektin legal dhe legjitim) “vazhdimi i Programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën nga administrata e Presidentit Donald Trump është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë. Edhe më shumë të lumtur dhe krenarë na bën fakti që Republika jonë është një ndër shtetet e pakta për të cilat financimi i programeve të MCC-së do të vazhdojë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Sidoqoftë, mbetet të shihet nëse vazhdimi i këtij projekti a ishte më shumë shpërblim diplomatik për punën e presidentes Vjosa Osmani, apo një riaranzhim i raporteve me liderin e Vetëvendosjes Albin Kuti. Ndonëse nuk mund të mohohet pandehma e parë, megjithatë këtu duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër.

Gjatë vizitës së fundit që kishte në Kosovë, zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan u takua edhe me Albin Kurtin në rezidencën e Ambasadës Amerikane. Një dëshmi kjo që ai nuk e njeh legjitimitetin e Qeverisë aktuale, sepse përndryshe ky takim mbase do të ishte mbajtur në zyret e Qeverisë së Kosovës. Por është interesant se pjesë e këtij takimi ishte edhe ministrja në detyrë, Artane Rizvanolli. Është paradoksale që në kulmin e krizës së paprecedent politike, juridike dhe kushtetutuese, që pjesë e tavolinave të tilla diplomatike të jetë një ministre që e ka për domen pikërisht sferën energjetike. Dhe se programi i MCC është i fokusuar pikërisht në këto tema.

Po ashtu, këtu duhet kujtuar edhe një fakt tjetër, se projekti për ndërtimin e infrastrukturës për sjelljen e gazit amerikan në vlerë prej 200 milionë eurove derivonte nga ky program. Mirëpo, atëbotë Kosova e kishte refuzuar këtë investim. Madje ishte vetë ministrja në fjalë, që kishte hedhur dyshime mbi koston financiare të këtyre planeve. Ajo ishte shprehur, se si qeveri u duhet kohë që të vendosin lidhur me projektin amerikan të gazit pasi nuk dihet kosto totale financiare. Sipas saj janë disa “çështje, që kërkonin qartësim, siç janë financat, dhe ta dijmë se cila do të ishte kosto totale, kush do t’i financonte, kush do ta ndërtonte termocentralin, e që është thënë se do të ndërtohej me partneritet publiko-privat. Po ashtu do të duhej të merrnim kredi në shumë të mëdha për përfundimin e projektit, të cilat do t’i paguanin konsumatorët. Vendimet nuk do të merren pa e ditur se sa do të kushtojë dhe pa e ditur se sa do të jetë çmimi që do të paguajë konsumatori për energji” etj

Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që na atë takim të sipër cekur të jenë diskutuar pikërisht këto dilema dhe ku Albin Kurti është pajtuar për t’i hapur udhë atyre investime energjetike amerikane që dikur i kishte mohuar. Në anën tjetër, kjo administratë ka dëshmuar se logjikën trans-aksionale ia subordinon çdo standardi tjetër.

Madje, nuk është e rastësishme që para pak ditë u bë publik lajmi se si Sekretari i shtetit Marco Rubio i ka instruktuar ambasadat amerikane anë e mbanë botës, që tash e tutje, duhet të ndalojnë reagimet mbi besueshmërinë, integritetin dhe legjitimitetin e zgjedhjeve në vendet e tjera, një ndryshim rrënjësor nga ‘tradita’ shumëvjeçare e promovimit të zgjedhjeve demokratike nëpër botë”.

SHBA-të e njohin si partner fituesin, me rëndësi që ai të jetë në përputhje me interesat “Amerika e para”. Kurse mbrojta e demokracisë dhe parimeve të sundimit të ligjit nuk mund të importohet nga Uashingtoni, por ajo duhet të jetë aspiratë e vetë shoqërive lokale. Nëse këto të fundit pajtohen me ata që të jenë të sunduar, Amerika nuk do ta ketë telashe të bashkëpunoj me sundimtarët e tyre. /TV Arbëria