Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se protestat e paralajmëruara nga organizatat e dala nga lufta janë të justifikuara, duke përmendur një sërë padrejtësish që sipas tij janë bërë ndaj ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
OVL-UÇK, ka paralajmëruar protest% me 7 gusht në sheshin e Prishtinës.
Syla në emisionin N’Pult në TV Arbëria theksoi se arsye për të protestuar ka pasur prej kohësh, por tani situata është bërë edhe më e rëndë:
“Organizata e veteranëve dhe kategoritë e dala nga lufta kanë pas arsye qysh më herët me protestu, në këtë rast për ato padrejtësitë që iu kanë ba veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këto të drejta që i gëzojmë me ligj e asnjëherë nuk i gëzum në këtë qeverisjen që e udhëhiqte Vetëvendosja. Por duke pas parasysh edhe trajtimi i bashkëluftëtarëve tonë në një gjykatë politike, që quhet Gjykata Speciale”
Ai përmendi tri arsye kryesore që do t’i shtyjnë në protestë:
“Do të thotë, ne tash i rendisim tri arsye që dalim në protestë: pra, është konstituimi i institucioneve tona, padrejtësia që i bahet bashkëluftëtarëve tanë në Hagë, dhe këto padrejtësitë tjera që bëhen nga qeveria ndaj organizatave të dala nga lufta”
Syla kritikoi ashpër Qeverinë e Kosovës, veçanërisht për vendimin që ka ndikuar në përjashtimin e veteranëve nga përfitimi i pagës minimale, duke e cilësuar këtë si një nga padrejtësitë më të mëdha të bëra ndaj tyre:
“Besoj që është e drejta ma themelore që kemi kërku na diçka, padrejtësia ma e madhe që na u ka ba neve në kohën kur VV-ja me Listën Serbe i kanë ba votat bashkë me na largu nga paga minimale. Ka qenë për ne shokuese, tepër e papranueshme, qysh ka arritë një parti shqiptare në këtë rast me ba ‘pushkët bashkë’ kundër atyre që e sollën lirinë”
Ai shtoi se protesta e paralajmëruar do të jetë paqësore dhe pret mbështetje të gjerë qytetare:
“Prandaj kërkesa është shumë legjitime dhe besoj kemi me marrë mbështetjen popullore që me dalë atë ditë në shesh. Protesta do të jetë paqësore, qasat janë që do të marrë pjesë dikush nga mbrojtja e Thaçit apo bashkëluftëtarëve tonë atje”