Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Shala nga IKD: Shteti në pauzë – Kuvendi i bllokuar, humbje miliona euro

Shala nga IKD: Shteti në pauzë – Kuvendi i bllokuar, humbje miliona euro

Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i ftuar në emisionin ARB Debat me Rid Berishën, ka komentuar gjendjen politike në të cilën ndodhet Kosova, duke iu referuar bllokadës që është krijuar në Kuvend dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Supreme theksoi se mbajtja e pozitave qeveritare nga deputetët e zgjedhur është e jashtëligjshme – nuk pati reflektim, por vërsulje ndaj gjykatës”

Shala në ARB Debat tha se Gjykata Supreme qartazi theksoi se mbajtja e pozitave qeveritare nga deputetët është në kundërshtim me ligjin.

“Gjykata Supreme e Kosovës theksoi se mbajtja e pozitave qeveritare nga deputetët e zgjedhur qartazi përbën shkelje të ligjit dhe është e kundërligjshme. Megjithatë, nuk patëm një reflektim nga ana e qeverisë në detyrë, mirëpo patëm një lloj vërsulje ndaj Gjykatës Supreme”, ka thënë Shala në ARB Debat.

Shala, duke folur për bllokadën në Kuvend, ka thënë se shumë institucione në vend janë në krizë, dhe nëse vazhdon kjo gjendje, ka rrezik që edhe disa institucione të tjera të jenë jofunksionale.

“Nëse kjo situatë vazhdon, është rreziku që edhe institucionet e tjera që janë duke funksionuar me përbërje jo të plotë, të kalojnë në institucione jofunksionale për shkak të mungesës së anëtarëve”, ka thënë ai.

“Është shkelje e Kushtetutës mos me konstituu Kuvendin”

Ai theksoi se edhe pse nuk thuhet në aktgjykim, është shkelje e Kushtetutës nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës.

“Edhe pse nuk thuhet në aktgjykime, është shkelje e Kushtetutës mos me konstituu Kuvendin, është shkelje që deputetët që unë i kam votu nuk janë duke më përfaqësu”, tha mes tjerash Shala.

“Është cenu demokracia, dhe është cenu Kushtetuta e Republikës së Kosovës”

Shala për votimin e fshehtë: “Komision kundërkushtetues”

Shala potencoi se partitë janë duke bërë lojë politike, por sipas tij kjo nuk duhet të ndodhë sepse është në pyetje Kuvendi, i cili ka mbetur tash e sa muaj pa u konstituuar.

“Loja politike në asnjë parti politike nuk duhet të shkojë deri në nivelin që e lenë për muaj të tërë vendin pa Kuvend të konstituuar”, tha ai.

Shala: Gjendje emergjente, Kosova po humb qindra-miliona euro për shkak të mungesës së Kuvendit

Sipas Shalës, gjendja nga moskonstituimi i Kuvendit është emergjente.

“Është gjendje emergjente, Kosova nuk është duke përfituar qindra miliona euro nga Plani i Rritjes së BE-së, për shkak të mungesës së Kuvendit”

Shala: VV pati mundësi ta ndërrojë kandidatin, partitë e tjera i ofruan votat – nuk kanë të drejtë me blloku Kuvendin

Shala tutje ka thënë se është e drejtë e VV-së ta propozojë kandidatin, por jo ta bllokojë Kuvendin.

“Partia e parë ka pas mundësi me e ndrru kandidatin, partitë e tjera i kanë ofru votat, lëvizje pati dhe u kërkua që thjeshtë, ndërrone kandidatin dhe ne po iu ofrojmë votat. Unë e kuptoj që është e drejtë për me propozu kandidatin, por jo për ta bllokuar”

“Shteti ndodhet në pauzë” /TVARBËRIA