Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti thotë se vendimi i ZRRE-së për dalje në treg të hapur të energjisë për biznese, i cili nesër hyn në fuqi, ka krijuar pasiguri të madhe për furnizim me energji për biznese.
Sipas tij, ky vendim i marrë në këtë formë do të ketë shumë pasoja.
Hoti thotë se do të rritet papunësia, do të largohen investitorët ekzistues e do të rritet kostoja e bizneseve vendore.
“Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë.”, ka shkruar Hoti.
Ai tutje thotë se brenda një kohe të shkurtër do të vërehet përkeqësim i bilancit tregtar pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun tonë.
“Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës.”, ka shkruar Hoti në Facebook.