Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po e ndryshon politikën e jashtme amerikane tronditja shpirtërore e Melania Trump?

A po e ndryshon politikën e jashtme amerikane tronditja shpirtërore e Melania Trump?

Shkruan: Afrim Kasolli

Shumë kush ka mbetur i befasuar nga kthesa e befasishme e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në raport me presidentin  e Rusisë, Vladimir Putin. Jo shumë kohë më parë i pari shprehej optimist se mund të arrihej  si armëpushimi i menjëhershëm dhe një marrëveshje paqësore për luftën në Ukrainë. Madje ajo luftë as që do të mund të kishte shpërthyer sikur se i njëjti të ishte në pushtet. Dhe se me të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë atë do ta ndalonte për 24 orë. E tëra kjo për shkak të besimit në lidhjet miqësore me liderin rus, pavarësisht faktit se shumë studiues paralajmëronin se një fund i shpejt i këtij konflikti, ishte një iluzion i pastër. Sepse pikërisht qëllimet e pushtimit të paprovokuar rus, binin në kundërshtim me këtë skenar optimist.

Por, çuditërisht papritmas çdo gjë u përmbys. Presidenti Trump e ndryshoi radikalisht tonin dhe qasjen ndaj atij rus. Fillimisht, i dha ultimatum 50 ditor për një armëpushim. Por dy ditë më parë e reduktoi atë në 10 ditë, para imponimit të sanksioneve të reja ndaj shtetit rus. Po ashtu, nuk janë përjashtuar as ato që quhen si sanksione sekondare, ku do të ndëshkohen ekonomikisht të gjitha ato shtete që janë duke importuar burime energjetike ruse, sikur Kina dhe India.

E motivet e kësaj kthese u kuptuan vetëm gjatë takimit të presidentit Trump me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, Mark Rutte, se kur shkon në shtëpi i thotë zonjës së parë, Melania Trump, se si e ka pasur një bisedë të mrekullueshme me Putinin, për t’i dhënë fund luftës. Mirëpo e njëjta, i ishte përgjigjur, “vërtetë, një qytet tjetër sapo u godit”. Një dëshmi kjo që tregon se si Donald Trump është ndërgjegjësuar mbi planet djallëzore të Vladimir Putinit, që ta manipulojë të parin se është i interesuar për paqe, vetëm për ta maskuar vazhdimin e fushatës agresive kundër Ukrainës. Madje kjo fushatë asnjë herë nuk ka qenë më intensive se sa në këtë kohë.

Megjithatë, ky ndikim i zonjës së parë të SHBA-ve mbi politikën e jashtme të bashkëshortit të saj është duke u reflektuar edhe në një konflikt tjetër të përgjakshëm, atë në rripin  e Gazës. Për herë të parë, presidenti i SHBA-ve  e pranoi krizën e urisë në atë enklave. Deklarim ky që e pozicionoi në kundërshtim me qëndrimin e kryeministrit Benjamin Netanyahu, që në vazhdimësi i ka mohuar këto pretendime. Edhe në këtë rast presidenti i SHBA-ve, pohoi se Melania Trump është e tronditur nga pamjet tmerruese për shkak të bllokadës së imponuar  mbi rripin e Gazës. “Ajo mendon se ajo çfarë po ndodh në Gaza është e tmerrshme, sepse i sheh të njëjtat fotografi që i shihni ju, që shohim të gjithë ne. Është e tronditëse kur sheh fëmijët në atë gjendje. Ata janë fëmijë që vuajnë nga uria”, u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One ndërsa udhëtonte nga Skocia për në Uashington, DC. Prandaj në fund presidenti Trump bëri thirrje që urgjentisht të krijohen “qendrat ushqimore” me qëllim që të tejkalohet katastrofa me e madhe humanitare në botë.

Këto ndryshime drastike diplomatike mbase flasin për ndikimin e hatashëm politik në proceset planetare  që mund të ketë “zëri i heshtur publik” i një gruaje. Dhe se si për shkak të këtij detyrimi  Donald Trumop, po e bënë atë që në mund të imagjinohej para pak dite. Ku tronditja shpirtërore e Melania Trump është duke prodhuar ato që  nuk ia kanë dalur ta anticipojnë dhjetëra senatorë, kongresmenë e segmente tjera të politikbërjes së SHBA-ve.