Kjo ditë nisi me një propagandë (që do duhet të futet në manualin e shkencave politike se i përket mashtrimit ) nga zyrtarët e Vetëvendosjes, me tituj bombastik se si “FSK për të parë në veri si ushtri e vendit”, se po realizohet edhe një premtim politik etj, duke e margjinalizuar plotësisht arsyen e këtij operacioni dhe se si ai po zhvillohet me miratimin dhe aprovimin e trupave ndërkombëtarë të KFOR-it në Kosovë.
Për më shumë sipas mediave, po ashtu ky subjekt politik i ka retushuar edhe fotografitë duke e paraqitur prezencën e NATO-së i inekzistente.
Kjo retorikë nuk është asgjë tjetër, pos një nekrofili politike, ku një humbje e një jete njerëzore përdoret si mundësia e fundit për përftime elektorale. Siç dihet një i ri nga diaspora kishte humbur jetën duke kërcyer nga ura mbi Liqenin e Ujmanit . Që nga çasti fatal ekipet civile të kërkim shpëtimit kanë qenë në kërkimit të trupit të pajetë të mërgimtarit, por pa sukses. Prandaj edhe u bë e nevojshme ndihma humanitare e FSK-së. Shto faktin se e njëjta ka qenë e përfshirë në misione të ngjashme në atë pjesë të Kosovës edhe në të kaluarën.
E këtu nuk duhet harruar faktin se pikërisht Qeveria e Albin Kurtit kishte filluar ta promovonte këtë sportin e kërcimit nga ajo urë, si atraksion turisitiko-politik që nga viti i kaluar, si pjesë e fushatës për “risovranizimin e veriut”.
Madje sipas atyre që e njohin atë terren deri më tani as nuk kanë ekzistuar shenja që paralajmërojnë mbi rrezikun që paraqet për jetën, ri përjetimi i kësaj forme të “çlirimit të veriut”. Me rëndësi dalldia e shfrenuar politike.
Në këtë kontekst, në vend se sot të kërkohet përgjegjësi për këto lëshime, që e morën edhe një jetë njerëzore, ky pushtet po e përdor edhe këtë rast për interesa elektorale.
Asgjë e rastësishme, pasi kanë dështuar të dëshmojnë suksese për jetën, nuk u ka mbetur asgjë në fund, pos tentimi për përfitime me kultin e vdekjes.