Fatmir Limaj, kryetar i NISMA-s, ka refuzuar çdo diskutim për poste ministrore, duke u përqendruar vetëm në kërkesën për të udhëhequr Kuvendin e Kosovës.
Këtë e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i NISMA-s, Bilall Sherifi, gjatë intervistës në RTV Dukagjini, ku tregoi se prioriteti i vetëm i Limajt dhe partisë së tij ishte pozita e kryetarit të Kuvendit, jo ndarja e pushtetit në ekzekutiv.
Sherifi theksoi se mandati për kryetar Kuvendi i takon mazhorancës, por edhe se partia më e madhe nuk mund ta zgjedhë atë pa numrat e nevojshëm.
“Mandati i kryetarit të Kuvendit i takon mazhorancës. Partia më e madhe e propozon kandidatin, por nëse nuk ka mazhorancë, nuk mund ta zgjedhë, siç edhe u dëshmua”, tha ai.
“Z. Limaj na ka thënë se kemi pasur një ofertë të mirë në kuptimin e diskutimeve të përgjithshme, por nuk është folur asnjëherë konkretisht për ministri. Ai nuk ka pranuar të diskutojë fare për poste. Ne kemi qenë të përcaktuar për partneritet në Kuvend”, u shpreh Sherifi.
Sipas tij, Limaj është një ndër deputetët më meritor për të udhëhequr Kuvendin, por një gjë e tillë është e mundur vetëm nëse je pjesë e mazhorancës.
“Fatmir Limaj meriton të jetë kryetar i Kuvendit, por kjo kërkon domosdoshmërisht që të jesh pjesë e mazhorancës. Pa mazhorancë nuk zgjidhesh as kryeministër, as kryetar Kuvendi”, deklaroi Sherifi.