Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > PSHDK: Qeveria ta shfrytëzojë këtë mobilizim të SHBA-së dhe BE-së për të arritur marrëveshjen me Serbinë

PSHDK: Qeveria ta shfrytëzojë këtë mobilizim të SHBA-së dhe BE-së për të arritur marrëveshjen me Serbinë

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK) ka shprehur shqetësime për aspektin e sigurisë, drejtësisë, por edhe ekonomisë në vend. Kjo parti kërkon nga Qeveria e Kosovës që të shfrytëzojë mobilizimin e fortë të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje me Serbinë.

Kryetari i PSHDK-së, Zef Morina, në një konferencë për medie ka ngritur shqetësimet edhe për situatën e krijuar mbrëmë në zyrat e KQZ-së në veri të vendit.

Sipas tij, grupet kriminale të nxitura nga politika e Beogradit po mundohen ta destabilizojnë Kosovës, andaj ai kërkoi përqendrim maksimal nga institucionet e vendit për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Morina tha se Qeveria e Kosovës me jo pak dëme hoqi dorë nga vendimi për targat.

Morina: Grupet kriminale në veri, të nxitura nga politika e Beogradit po mundohen ta destabilizojnë vendin

“Kosova tashmë ka hyrë në një fazë të rëndësishme të përmbylljes së shtet-ndërtimit. Kompleksiteti i kësaj faze dhe zhvillimet që e presin vendin tonë javët dhe muajt në vijim kërkojnë përqendrim maksimal të Qeverisë dhe institucioneve të vendit në çdo hap. PSHDK rithekson urgjencën e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse… Qeveria e Kosovës me jo pak dëme hoqi dorë nga vendi i saj i papjekur dhe i pamenduar për targat. Më mirë vonë sesa kurrë, këmbëngulja joracionale e kryeministrit, Kurti dhe presidentes Osmani, pa i llogaritur pasojat në terren ka krijuar një situatë eksplozive në veri të vendit krejtësisht pa nevojë. Veriut i vendit sot është de-fakto jashtë kontrollit të institucioneve qendrore të vendit… Grupet kriminale në veri të vendit, të nxitura nga politika e Beogradit, po mundohen me çdo kusht të destabilizojnë vendin, siç ishte rasti i ndodhur dje pranë zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ). Ky është një sinjal që institucionet e vendit duhet të jenë të koordinuara ngushtë me SHBA dhe BE për të zgjidhur problemin me Serbinë, e cila me çdo kusht po mundohet ta destabilizojë Kosovën”, tha Morina.

Morina shprehu shqetësime edhe për deklaratave të krerëve institucionalë karshi përfaqësuesve evropianë që janë ndërmjetësues për dialogun me Serbinë.

Ai thekson nevojën që angazhimi i SHBA-së dhe vendeve të BE-së të shfrytëzohet për arritjen e marrëveshjes me Serbinë.

Morina: Angazhimi i SHBA-së dhe BE-së të shfrytëzohet për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

“Duke qenë të vetëdijshëm për këto rrethana të reja dhe duke parë një mobilizim të fortë amerikan e evropian për marrëveshje të shpejt Kosovë-Serbi, ne në PSHDK ritheksojmë se Kosova dhe qeveria e saj duhet ta kuptojë thellësinë e seriozitetit dhe urgjencës së arritjes së marrëveshjes me Serbinë në kuadër të dialogut e cila medoemos duhet të mbyllet me njohje të ndërsjellë. Kjo mund të arrihet vetëm duke koordinuar dhe harmonizuar me urtësi çdo hap me SHBA dhe BE-në. Angazhimi i shtuar dhe shumë i koordinuar sidomos nga SHBA, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia muajve të fundit duhet të shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës si një mundësi e madhe për arritjen e një marrëveshje me Serbinë”, u shpreh ai.

Kryetari i PSHDK-së, Zef Morina në këtë konferencë për medie ka ngritur shqetësimet edhe për trendin në rritje të dhunës në familje, derisa për rastin e Hamide Magashit, e cila u vra nga bashkëshorti i saj i cili më pas u vetëvra, kërkoi përgjegjësi nga instancat më të larta shtetërore.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë është në gjendje alarmante, ndërsa ka kritikuar presidentja Vjosa Osmani për çështjen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Morina: Gjendja në institucionet e pavarura të drejtësisë, alarmante

“Qeveria Kurti ua zbriti pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim me çdo logjikë elementare që angazhohet për rend dhe ligj. Në anën tjetër, Kosova tash e një kohë të gjatë është pa kryeprokuror. Domethënë gjendjen në institucionet e pavarura të drejtësisë e kemi alarmante”, deklaroi kreu i PSHDK-së.

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës e ka quajtur mos sukses edhe menaxhimin nga ana e Qeverisë së Kosovës në fushën e ekonomisë.

Powered by WordPress