Profesori universitar, Blerim Latifi ka reaguar pas intervistës së mbrëmshme nga Haga të ish-presidentit Thaçi dhe reagimet që pasuan.
Latifi thotë se ata që sot “derdhën lot digjital” për Thaçit, para disa viteve kërkonin kokën e tij.
Sipas tij në këtë mes kishte parti politike, ndërkombëtarë, gazetarë e shoqëri civile.
“ishte vetëm gjashtë vite në pushtet, por atyre u dukej sikur kishte qenë aty me dekada. Ishin gjashtë vite kur Kosova u bë shtet. Me gjithë vështirësitë dhe gabimet [edhe të tij], ato ishin vite ndërtimi, jo rrënimi. Por koalicioni i madh – parti, shoqëri civile, media, ndërkombëtarë – arriti të krijojë mitin se ato ishin vitet më të errëta të Kosovës. Dhe ai: përgjegjësi kryesor për gjithçka. E keqja supreme.”, ka shkruar ai.
Sipas Latifit, u fabrikua një tregim ku çdo dështim i vendit lidhej me emrin e tij.
“U krijua armiku ideal – në të cilin projektuan gjithë frikën, fajin dhe pafuqinë që nuk dinin si ta përballnin ndryshe.”, ka shkruar ai.
Tutje Latifi thotë se ndonëse Thaçi nuk është më në skenë, vitet pa të nuk janë më të mira se “6 vitet e tij të këqija”.
“Mjafton të shihni gjendjen në të cilën jemi katandisur si shtet, për ta marrë përgjigjen e duhur.
Në vend të shpëtimit, erdhi stagnimi.
Në vend të rilindjes, degradimi.
Në vend të fuqizimit ndërkombëtar, harresa nga miqtë dhe aleatët.
Në vend të patriotizmit shtetëror, apatia totale për fatin e shtetit.
Në vend të një shteti që dikur frymëzonte, në një shtet të cilit sot të gjithë ia kthejnë shpinën.”, shkruan ai.