Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Luftë e viktima në rast të mbajtjes së zgjedhjeve në veri”

“Luftë e viktima në rast të mbajtjes së zgjedhjeve në veri”

Situatë e tensionuar dhe me mundësi të eskalimit në çdo moment parashohin analistë shqiptarë e serbë për veriun e vendit, pas zhvillimeve të djeshme në atë pjesë.

Sipas tyre, në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 18 dhe 25 dhjetor, mund të ketë përleshje, viktima, madje edhe luftë.

Nexhmedin Spahiu, analist politik, ka bërë të ditur se nuk duhet të organizohen zgjedhjet në veri pa u arritur paraprakisht një marrëveshje politike.

Ai ka potencuar si mundësi më të mirë emërimin e administratorëve të përkohshëm nëpër komunat veriore, sesa mbajtjen e zgjedhjeve.

Spahiu tha se mbajtja e zgjedhjeve do të ishte sfidë për Prishtinën dhe Beogradin, ku do të kishte përleshje dhe viktima.

Spahiu: Bandat e Vuçiqit do të përpiqen që të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve në veri

“Është situatë e tensionuar dhe që në çdo moment mund të eskalojë, sidomos nëse provohet të mbahen zgjedhjet në komunat veriore, ku bandat e presidentit Vuçiq do të përpiqen që të mos lejojnë një gjë të tillë. Unë mendoj se nuk është e udhës që të mbahen këto zgjedhje derisa nuk ka një marrëveshje politike…Më lehtë është të caktohet një administrator të përkohshëm për secilën komunë, qoftë edhe shqiptar, por që ka guxim, edhe më lehtë është të mbrohet zyra e tij nga ana e forcave speciale të Policisë së Kosovës, sesa të ekzekutohen zgjedhjet në komunat me shumicë serbe, me ç’rast do të ishte vetvetiu një referendum për Vuçiqin dhe serbët në veri, që do të nënkuptonte se të gjithë serbët janë kundër pushtetit të Albin Kurtit… Natyrisht, në një ballafaqim të tillë (mbajtjes së zgjedhjeve) që do të ishte sfidë për të dyja pushtetet, Beogradit dhe Prishtinës, ku tregohet se kush është më i zoti, mund të ketë viktima, përleshje”, ka thënë Spahiu.

Edhe analisti serb, Branimir Kërstiq, situatën aktuale në veri të Kosovës e përshkruan të tensionuar.

Sipas tij, qytetarët janë të armatosur dhe nëse dërgohen forca policore në veri, mund të ketë luftë.

Kërstiq: Në baza ditore jam duke parë njerëz të armatosur në veri

“Situata nuk është e favorshme dhe kemi tensione të larta… Jemi në prag të një situate me mundësi të eskalimit dhe konsekuencave shumë serioze… Nëse dikush dërgon forca në veri, ne do të kemi luftë këtu… Në baza ditore jam duke parë njerëz të armatosur në veri… nga të dyja anët, edhe në Lagjen e Boshnjakëve ke shqiptarë të armatosur…E kuptueshme, Vuçiq edhe Kurti i kanë armatosur… Nuk ekzistojnë kushtet (për zgjedhje)… Nëse organizohen zgjedhjet me forcë në veri, përgjegjës për çdo viktimë do të jetë Kurti dhe Vuçiq. Së bashku janë duke punuar në destabilizimin e shtetit të Kosovës”, theksoi, ish-gazetari dhe analisti politik, Branisllav Kërstiq.   /TV Arbëria

Powered by WordPress