Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Banesat e familjeve të dëshmorëve: VV akuzon Ramën për shkelje ligji, Komuna e mohon

Banesat e familjeve të dëshmorëve: VV akuzon Ramën për shkelje ligji, Komuna e mohon

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nënshkruar kontratat për dhënien në shfrytëzim 99-vjeçar të banesave komunale për familjet e dëshmorëve të Kosovës, si akt nderimi dhe përkushtimi institucional. Ai theksoi se ky veprim synon trajtim dinjitoz për familjet e heronjve kombëtarë.

Vendimi është kundërshtuar nga Vetëvendosje. Shefi i grupit të asamblistëve në KK të Prishtinës, Gëzim Sveçla, e quajti veprimin të paligjshëm dhe përpjekje për përfitime elektorale.

“Kjo duhet analizuar në dy rrafshe: në rrafshin e parë është se si vendim është i paligjshëm për shkak se merret në kohën kur tashmë janë shpallur zgjedhjet lokale dhe ligji për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale bën të qartë që ndalon dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës komunale pas datës kur presidenti i shpall zgjedhjet, si veprim është shumë i ulët, është instrumentalizim i familjeve të dëshmorëve, i emrave më të mëdhenj të historisë sonë më të re të luftës çlirimtare për efekte elektorale”, tha Sveçla.

Ai shtoi se akti është ndërmarrë pasi janë shpallur zgjedhjet lokale.

“Rama me një lojë shumë të ulët, të pistë, po tenton të fitojë poenë politikë, sepse siç e thashë, vendimi nuk prodhon pasoja juridike, është kjo buja mediatike që e ka krijuar. Dëshmorët dhe familjet e tyre meritojnë nderim dhe respekt. Institucioni i kryetarit të kryeqytetit, po flas për institucionin, meriton integritet dhe respektim të ligjit, gjë që nuk po ndodh, sepse i kam dyshimet e mia edhe te integriteti i zotëri Ramës e sa për respektimin e ligjit, ai e ka dëshmuar që nga fillimi i mandatit që në këtë kuptim është një kauboj politik.”, tha ai.

Sveçla gjithashtu pretendoi se disa nga përfituesit e këtyre banesave janë zyrtarë aktualë të Komunës së Prishtinës dhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët tashmë kanë pasuri të paluajtshme.

“Ky është mashtrimi i dytë që po përpiqet Rama t’ia servojë opinionit. Vendimi ka të bëjë me miratimin e një raporti të komisionit që i ka trajtuar kontratat për këto banesa. Nëse e shihni vendimin, shkruan qartë: ‘vendim për miratimin e raportit’. Ky komision për verifikimin e këtyre kontratave të banesave që janë në pronësi të komunës është themeluar në prill të vitit 2023, kur Rama i kishte prishur marrëdhëniet me LDK-në dhe kishte formuar këtë komision si shantazh ndaj subjektit të tij për shkak se një pjesë të banesave përfitues janë zyrtarët e LDK-së”, shtoi ai.