Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Beka: Në mbështetje të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare të Kosovës (KOASH)

Beka: Në mbështetje të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare të Kosovës (KOASH)

Basri Beka nga Organizata Shqiptaria ka dalë me mbështetje për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të Kosovës (KOASH).

Sipas Bekës po bëhet një fushatë “e ndyrë” dhe e organizuar karshi kësaj të fundit.

 

 

Reagimi i plotë i Bekës:

 

Po e ndjek me vëmendje një fushatë të ndyrë dhe të organizuar kundër KOASH – Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare të Kosovës – një iniciativë që ka lindur nga gjiri i vetë shqiptarëve ortodoksë, me mision të qartë: të rikthejë kujtesën e fshirë, dinjitetin e mohuar dhe trashëgiminë shpirtërore që na është rrëmbyer nga Kisha Serbe.

Disa opinionistë, gazetarë dhe “ekspertë me orar” po hidhen me një zell të çuditshëm në sulm ndaj KOASH, duke e shitur injorancën e tyre si qëndrim publik. Dikush tjetër shkon edhe më larg, duke e vënë veten në shërbim të narrativës së Kishës Serbe, duke bërë pis çdo përpjekje për të ndërtuar një institucion fetar shqiptar brenda shtetit të Kosovës. Këta nuk janë vetëm të gabuar – janë të rrezikshëm.

KOASH nuk është projekt fetar i thjeshtë. As nevojë kishtare. KOASH është projekt kombëtar. Është formë rezistence kulturore. Është rikthim i historisë së vërtetë, që nis nga figura e Konstandinit të Madh – themeluesit të krishterimit si fe shtetërore në Perandorinë Romake – i cili ishte DARDAN, biri i këtij trualli, jo grek e as sllav, siç përpiqen të na bindin me shekuj.

KOASH është përpjekje e organizuar për t’ua kthyer shqiptarëve ortodoksë ndjenjën e përkatësisë pa ndrojtje, pa etiketim, pa presion psikologjik se po “serbizohen” nëse i afrohen Zotit në gjuhën e të parëve të tyre. Ajo u shërben shqiptarëve që e kanë ruajtur këtë besim me dinjitet, atyre që janë martuar me shqiptarë në Kosovë, dhe atyre që duan t’i rikthehen rrënjëve të veta shpirtërore, pa u ndjerë të huaj në vendin e vet.

Të gjithë ata që sot sulmojnë KOASH ose nuk e kuptojnë çfarë është në lojë – ose po luajnë lojën e dikujt tjetër. Të gjithë ata që bëjnë sikur s’e kuptojnë se çfarë simbolizon kontrolli i Kishës Serbe mbi monumentet ortodokse në Kosovë, janë ose të verbër, ose të shitur.

Unë e mbështes plotësisht KOASH. Sepse ajo është nevojë historike, është instrument kombëtar, është mur shpirtëror kundër kolonializmit kulturor që Serbia ka ushtruar në mënyrë të heshtur për më shumë se një shekull.

KOASH nuk ka nevojë për leje. Ka të drejtën historike, trashëgiminë e vet dhe të ardhmen përpara.