Policia e Kosovës në bashkëpunim me atë të Shqipërisë dhe strukturën kundër krimit në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndërmarrë operacionin “Marewood”.
Kësisoj, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës është ndaluar një person i cili kishte mbi 11 mijë euro të padeklaruara.
“Ky operacion policor ka rezultuar me sukses, ku javën e kaluar zyrtarët doganorë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në Aeroportin e Prishtinës, kanë ndaluar një person tek i cili gjatë kontrollit i janë gjetur 9845 funta të padeklaruara në kartëmonedha të letrës, të cilat dogana, pas kalkulimit të kursit, ka konfirmuar se janë diku rreth 11385 (njëmbëdhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë e pesë) euro.”
“Bashkëpunime dhe operacione të tilla do të vazhdojnë edhe më tej, pasi që qëllimi i tyre është goditja e transportit të parave, veçanërisht atyre të destinuara për financimin e aktivitetit kriminal (pastrim parash), parandalimi i trafikimit të armëve dhe drogës nëpërmjet vendkalimeve kufitare, si dhe frenimi i migracionit të paligjshëm, në kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë.”, thuhet në njoftimin e PK-së.