Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Sindikata e Punëtorëve të RTK-së paralajmëron padi dhe protesta nga 6 gushti nëse s’ndahet buxheti për pagat

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së paralajmëron padi dhe protesta nga 6 gushti nëse s’ndahet buxheti për pagat

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet për të shmangur krizën financiare që po rrezikon funksionimin e transmetuesit publik, shkruan Reporteri.net.

SPERTK thekson se është e domosdoshme që të alokohet sa më shpejt pjesa e mbetur e buxhetit të miratuar nga Kuvendi, në mënyrë që të garantohet vazhdimësia e misionit të RTK-së.

Sindikata kujton se në nëntor 2024 ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkak të zvogëlimit të buxhetit me 2 milionë euro, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Në komunikatë thuhet se nëse buxheti nuk alokohet deri më 5 gusht 2025, SPERTK paralajmëron nisjen e padive ligjore dhe protestave nga 6 gushti.

Komunikata e plotë:

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon ndërhyrje urgjente për të mos u dëmtuar funksionimi i RTK-së

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) njofton të gjithë punëtorët dhe opinionin publik se nga dita e premte është angazhuar intensivisht me të gjitha palët përgjegjëse, me qëllim që Radio Televizionit të Kosovës t’i shmangen vështirësitë financiare dhe të garantohet funksionimi normal i punës dhe i shërbimit publik.

SPERTK kërkon që sa më shpejt të alokohet pjesa tjetër e buxhetit të miratuar më herët nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, për të siguruar vazhdimësinë e misionit të RTK-së pa pengesa financiare.

Theksojmë se në muajin nëntor 2024, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, përmes Avokatit të Popullit, ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zvogëlimin për 2 milionë euro të buxhetit të RTK-së. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje zyrtare për këtë rast, ndaj mbetemi në pritje të një vendimi të drejtë dhe në përputhje me ligjin.

SPERTK u bën thirrje të gjitha partive politike, pa dallim, që të ndërhyjnë menjëherë dhe të gjejnë zgjidhje urgjente për të mos lejuar që RTK të dëmtohet financiarisht dhe të rrezikohet puna e qindra punëtorëve. Kujtojmë se edhe në vitin 2021, megjithëse nuk kishte institucione funksionale në të gjitha nivelet, u gjetën metoda ligjore për alokimin e mjeteve dhe shmangien e krizës financiare.

Në rast se deri më datën 5 gusht 2025 nuk alokohet buxheti në llogarinë e RTK-së, Sindikata do të iniciojë padi për shkelje të ligjit dhe nga data 6 gusht 2025 do të fillojë me protesta dhe greva të lejuara me ligj, deri në realizimin e kërkesave të drejta të punëtorëve dhe garantimin e stabilitetit financiar të transmetuesit publik.

SPERTK mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me të gjithë faktorët relevantë, të sigurojë që RTK të ketë financim të qëndrueshëm, pavarësi editoriale dhe kushte të dinjitetshme pune për të gjithë punëtorët e saj.