Shkruan: Afrim Kasolli
Pas dështimit të 50-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka paralajmëruar një konferencë për media. Pas një injorimi të gjatë që u ka bërë mediave, i rrethuar nga shpura e sejmenëve të tij, duket që më në fund, lideri i Vetëvendosjes ka vendosur ta hap zemrën.
Megjithëse, nuk është bërë publik subjekti i kësaj paraqitje mediale, është logjike të pritet që krye tema e saj do të jetë e lidhur me pamundësinë e formimit të Kuvendit.
Sipas të gjitha gjasave ai do të tregojë për përpjekjen titanike që ka bërë deri më sot për zhbllokim të situatës. Për ofertat e prezantuara, dhe refuzimet që ka hasur nga partitë “opozitare”. Dhe për kompromiset e bëra më qëllim të tejkalimit të kësaj situate. Duke mos e përjashtuar në këtë rast as vullnetin dhe gatishmërinë që ka demonstruar sidomos pas vendimit të fundit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për ta zbatuar paragrafin tre të këtij vendimi, ku në mënyrë decidive thuhet se “drejta për të propozuar Kryetarin/en e Kuvendit, e rezervuar për grupin më të madh parlamentar, është vendosur përmes Aktgjykimit në rastin KO119/14; (iv) propozimi i kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit është i ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, dhe si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm”. Dhe se kështu atij nuk i mbetet asnjë opsion tjetër, pos të vazhdojë të qeverisë pa Kuvend, pasi Kosova e ka të parën, por jo të dytën. jashtëzakonshme.
Madje që këtë solucion po e kërkojnë edhe subjektet “opozitare”. Ngase janë të bindura se ai është duke qeverisur në mënyrë perfekte çfarë ka ndikuar që ato të mos e shohin të arsyeshme ta sfidojnë atë nëpërmjet kontrollit parlamentar. Apo duke mos e përjashtuar edhe skenarin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.
Në këtë kontekst, është e pritshme që edhe kjo konferencë të jetë vetëm vazhdim i kërkimit të ethshëm të fajtorit e të mos ketë asgjë të re nga fronti politik i kryeministrit në detyrë, pos lojës së filluar veçanërisht pas përfudnimit të zgjedhjeve nacionale me 9 shkurt.