Përparim Gruda, deputet i PDK-së i ka reaguar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit, i cili tha se deputetët ende nuk munden ta ushtrojnë funksionin, rrjedhimisht s’mund të ketë konflikt interesi mes një ministri e deputetit.
Gruda ka thënë se sipas ligjit mandati i deputetit fillon pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
““Mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes”. Paragrafi vijues i këtij neni, paragrafi 3, përcakton: “Mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse: (1) nuk bën betimin (…)”. Pra, mosdhënia e betimit mund të jetë shkak për të humbur mandatin, por ai nuk fillon me betim, por me certifikim. Fakti se Kushtetuta thotë se mandati humbet ose bëhet i pavlefshëm nëse nuk bëhet betimi, do të thotë që ai tashmë ka filluar.”, ka shkruar Gruda.
Sipas Grudës, megjithatë deputeti nuk mund ta ushtrojë funksionin e plotë pa u konstituuar Kuvendi.
“Ka dallim thelbësor midis fillimit të ushtrimit të mandatit dhe ushtrimit të plotë të funksionit. Momentalisht, deputetët janë duke ushtruar vetëm një pjesë të funksioneve të tyre sepse Kuvendi nuk është konstituar ende, por ata janë deputetë, sepse ndryshe as nuk do të kishin mundur të hynin në sallën e Kuvendit.”, ka theksuar juristi.