Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj Nazmi Mulakut, të njohur si Bio Mulaku dhe një personi tjetër me inicialet P.I, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike“ dhe “Mashtrimi“.
Prokuroria njofton opinionin publik se deri ne datë 16 korrik 2024, në ordinancën “B. M.” në Vushtrri, të pandehurit me dashje, në vazhdim dhe në bashkëkryerje pa pasur kualifikim profesional kryejnë trajtime mjekësore dhe angazhohen në aktivitete mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme.
“…ashtu që pretendojnë se shërojnë sëmundje të ndryshme dhe zgjedhin problemet e qytetarëve, të cilat edhe i postojnë në rrjetet sociale duke pretenduar se i shërojnë, në atë mënyrë që “pacientëve” – të dëmtuarve ju japin tableta dhe çajra të ndryshëm, ujë i cili nuk i plotëson normat për cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe rrjedhimisht kanë paguar gjobë për t’u liruar.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me dy (2) të pandehurit N.M., dhe P.I., ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, ku të pandehurit pranojnë veprat e kryera penale, dhe pajtohen ti rekomandojnë gjykatës qe të i shqiptojnë dënim me gjobë dhe dënim me burgim, i cili me pëlqimin e tyre të zëvendësohet në dënim me gjobë në vlerën e përgjithshme prej shtatëdhjetë mijë (70,000) euro.”, thuhet në njoftim.