Prokuroria sot ka bërë bastisje e kontrolle në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime.
Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar Agjencia Shtetërore e Arkivave dhe Agjencia Kadastrale.
Përmes një njoftimi, Prokuroria ka bërë të ditur se ka shoqëruar në polici pesë persona të dyshuar për bartjen e kundërligjshme të pronës nga publike në private.
“Gjatë këtij aksioni, janë shoqëruar në polici pesë persona M.B., V.B. B.SH. M.B. dhe Z.SH., ndërsa pas intervistimit, disa prej tyre janë arrestuar, mbi dyshimin për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, gjatë së cilës hetimet po vazhdojnë ende për rastin e bartjes së pronave publike në private në mënyrë të kundërligjshme.”, thuhet në njoftim.
Më saktësisht, hetimet po zhvillohen lidhur me një pronë në Veternik të kryeqytetit.
“Hetimet lidhen me rastin e bartjes së paligjshme të pronës publike në pronësi private përmes një aktgjykimi të falsifikuar. Prona në fjalë gjendet në Veternik të Prishtinës, dhe është pronësi publike e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) përkatësisht të ndërmarrjes shoqërore RTP.”, vazhdon komunikata.