Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi Gjykata Speciale e ka rrëzuar mocionin e Thaçit dhe të tjerëve, të cilët kërkonin rrëzimin e disa pikave të aktakuzës.
Nga kjo parti thonë se ky vendim është dëshmi e një logjike të përmbysur të drejtësisë.
“Vendimi i sotëm për rrëzimin e mocionit të mbrojtjes nga Gjykata Speciale është dëshmi e një logjike të përmbysur të drejtësisë, ku vija ndarëse midis çlirimit dhe agresionit zbehet qëllimshëm, ndërsa përpjekja e një populli për liri vihet nën dyshim me mjete juridike. Ky model i drejtësisë selektive nuk bën drejtësi universale, por prodhon një narrativë të rreme, që e zhvendos fajësinë nga pushtuesi te i çliruari.”, kanë thënë nga kjo parti.
VV, në vigjilje të 10-vjetorit të themelimit të Speciales ka kërkuar nga deputetët që e kanë votuar, që të kërkojnë falje.
“Sot është sërish moment reflektimi. Ata qeveritarë e deputetë që e miratuan e votuan e ata gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese që e konfirmuan këtë gjykatë në vitin 2015 bartin përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Ata duhet sot të kërkojnë falje, jo si akt formal, por si shenjë vetëdijeje për dëmin e madh institucional dhe moral që kjo gjykatë i ka shkaktuar vendit, kujtesës sonë kolektive dhe të ardhmes tonë. Ky do të ishte hapi i parë me të cilin duhet nisur një përbashkim për t’u mbrojtur jo vetëm juridikisht por edhe shoqërisht nga rreziku i shtrembërimit të thelbit të luftës sonë.”, njoftohet në komunikatë.