Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Rikthimi i Vjosa Osmanit në të njëjtin arsyetim jo efektiv për ta mbrojtur vetën nga kritika e Grenellit

Rikthimi i Vjosa Osmanit në të njëjtin arsyetim jo efektiv për ta mbrojtur vetën nga kritika e Grenellit

Shkruan: Afrim Kasolli

Presidentja Vjosa Osmani, përkundër premtimit se do t’i përgjigjet nëpërmjet një konference për media, akuzave të emisarit për Misione të Posaçme të Presidentit Trump, Richard Grenell, se ka manipuluar me fjalët e të parit, për ndaljen e një konflikti së voni ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nuk e ka bërë një gjë të tillë. Gjatë ditës së djeshme ajo gjatë konferencës së përbashkët  me  presidentin e Letonisë, Edgars Rinkeviç, e ka anashkaluar plotësisht këtë temë, duke e paraqitur Serbinë vetëm si dorë e zgjatur e Rusisë e cila ngjashëm si kjo e fundit, po tenton ta destabilizojë Republikën e Kosovës.

E ballafaquar me një situatë pa shtegdalje, nga dëshira për t’u shfaqur si aseti i vetëm amerikan në Kosovë, ajo iu rikthye me këtë rast refrenit që e përdor tash e sa kohë, duke e ekspozuar kryetarin e Serbisë si piun të liderit rus. Nuk ka dyshim i pari e ka një funksion të tillë. Mirëpo, mjerisht deri më tani kjo qasje nuk është se i ka ndihmuar në aspektin diplomatik as Vjosa Osmanit dhe as Albin Kurtit.  Për më shumë kurrë me tepër se në këtë fazë nuk është favorizuar ndërkombëtarisht Serbia edhe nga komuniteti trans-atlantik. Madje ajo ia ka dalur që ta kalojë pa asnjë pasojë juridike edhe agresionin e hapur paramilitar mbi integritetin territorial të Kosovës.

E tëra kjo për shkak të luftës në Ukrainë. Serbia është e vërtetë se nuk i ka përfillur rekomandimet e Bashkimit Evropian për sanksionim ndërkombëtar  të Rusisë. Mirëpo e njëjta është treguar bashkëpunuese në furnizimin me armë për ushtrinë ukrainase. Janë mbase këto shkaqe që kanë ndikuar për qasjen me tolerante të Perëndimit në raport shtetin fqinjë armiqësor të Kosovës. Për më shumë, ishin vetë autoritetet shtetërore të Ukrainës që e falënderuan në qendër të Beogradit, Aleknsandër Vuqicin për kontributin e tij në atë luftë, e jo Vjosa Osmanin në qendër të Prishtinës.

Madje siç ka thënë para pak dite në një intervistë për mediumin Evropa e Lirë, ish-Ambasadori amerikan në Serbi ,Christopher Hill, “Çështja kryesore në skenën evropiane në këtë moment është Ukraina. Vendet që janë të gatshme ta ndihmojnë Ukrainën dhe të bashkëpunojnë me të, janë vendet me të cilat ne dëshirojmë të punojmë. Ukraina është një nga ato çështje që duhet të trajtohet me urgjencën më të madhe. Serbia po bën disa hapa në këtë drejtim, prandaj, natyrisht, do të punojmë me Serbinë”.

Është ,ky realitet ndërkombëtar, e cili pas  vendimit të fundit të administratës Trump për riarmatim të ushtrisë ukrainase me armë amerikane të blera nga vendet evropiane që tregon se fundi i asaj lufte nuk duket në horizont. Por që po ashtu ka gjasa mund t’i ofrojë komoditet ndërkombëtar Serbisë. Dhe që jep pak shpresa se përdorimi i të njëjtit model nga Vjosa Osmani mund të përkthehet në favor për Kosovën.  .