Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme Gjykata Supreme ka konstatuar se miratimi i akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Sipas arsyetimi të këtij aktvendimi “Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara në Planin vjetor të punës së Qeverisë dhe në ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore normative të reja”.
Për më tepër, “sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese” Ky kontestim kishte marr shkas nga udhëzimi administrativ i nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, lidhur me “shfrytëzimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve elektronike fiskalë”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Qeverisë në detyrë ndaj këtij vendimi. Nëpërmjet një komunikate kjo e fundit e ka qujtuar këtë aktgjykim si arbitrar, kontradiktor dhe që e cenon “parimin e sigurisë juridike dhe funksionimit të vazhdueshëm të institucioneve të ekzekutivit”. Madje, nuk ka rëndësi koha kur është nënshkruar, por kur ka filluar kjo reformë. Dhe sipas arsyetimit të eksponentëve të pushtetit, ky proces ka nisur “më 20 nëntor 2024, në kohën kur Qeveria gëzonte mandat të plotë kushtetues dhe ligjor, gjë që i jep këtij akti nënligjor legjitimitet të plotë proceduror dhe substancial”.
Po ashtu, vazhdon arsyetimi nuk qëndron as kualifikimi për konflikt interesi, sepse sipas sipas Aktvendimit të “Gjykata Kushtetuese KO124/25, “Si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet dhe për rrjedhojë i njëjti nuk është funksionalizuar si organ përfaqësues me autorizime ligjvënëse, vendimmarrëse dhe mbikëqyrëse të përcaktuara me Kushtetutë.” Nuk ka pretendim që e diskrediton apologjinë mbrojtëse të këtij interpretimi se sa referenca në këtë paragraf. Sepse pikërisht ky dispozitiv dëshmon pse është e ndaluar vendimmarrja ekzekutive në kushte të tilla, ngase nuk ka kush ta kontrollojë këtë të fundit politikisht. Sidomos kur marrim parasysh faktin se i njëjti person i mban të dy pozitat.
Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që e para me qëllim që t’i këtë duart e lira nga kontrolli parlamentar, e mban të bllokuar këtë të fundit. Sidoqoftë, përtej këtyre nuancave juridike po ashtu problematik mbetet roli që ia jep Qeveria në detyrë vetvetes për t’i kundërvënë Gjykatës Supreme. Në traditën politike parlamentare kushtetuese, ligjet miratohen nga Kuvendi kurse interpretohen nga gjykatat. Kurse pushteti ekzekutiv është i obliguar të veprojë në koherencë më këto norma.
Ndërkohë, sipas tezave të juristit gjerman me prirje fashiste, Carl Shmitt, pushteti është mishërim i vullnetit autentik popullor, prandaj edhe qeverisja mund të ushtrohet me dekrete adiminstrative ngase ligji i Lëvizjes është ligj suprem dhe si i tillë ka përparësi mbi çdo normë tjetër pozitive. Është në vullnetin e kësaj shoqërie a do të pajtohet për t’i mbrojtur parimet e para, apo këto te fundit. Ato janë krijuar me një qëllim, për t’i mbrojtur shoqëritë demokratike kur modeli i dytë tenton ta shpallin vetën si suprem.